Partia Socialdemokrate, përmes një komunikate për media, thotë se mirëpret votimin e sotëm të Parlamentit Evropian për rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme; për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ky miratim i cili e konfirmon mandatin për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për lirinë e lëvizjes të qytetarëve të Republikës. Duke i falënderuar eurodeputetët për mbështetjen, Partia Socialdemokrate fton institucionet përgjegjëse të Kosovës, të ndërmarrin veprime konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në marrjen e vendimit përfundimtar nga institucionet e tjera vendimmarrëse të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Sipas PSD-së, izolimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të marrë fund.

“Ai është mbi gjithash pasojë e politikanëve të korruptuar dhe të kriminalizuar në Kosovë. Çmimin nuk duhet ta paguajnë tutje qytetarët e Republikës”.