Partia Social Demokrate ka bërë të ditur se nuk ka marrë ftesë për organizim apo pjesëmarrje në protestën që ka thirrur Lëvizja Vetëvendosje për 29 shtator.
Në një komunikatë për media, partia e krijuar nga ish-pjesëtarët e VV-së, ka thënë se çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë meriton trajtim më serioz nga partitë opozitare.
“Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundërproduktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar subjektivitetin”, thuhet në komunikatën e PSD-së.
“Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin, nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”, thuhet më tej.
PSD-ja konsideron se nuk mund të shkojë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk jemi ftuar dhe rrjedhimisht nuk janë të njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi.
“Aventurat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar, e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij”, thuhet në komunikatë.