Janë publikuar pamjet nga rrahja e Millosh Rosiq në Mitrovicën e Veriut.

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur ata sulmohen nga dy persona të njohur, derisa po qëndronin të ulur në oborrin e një kafiteri në veri të Mitrovicës.

Millosh Rosiq është vëllai i Marko Rosiq, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Millosh Rosiq ka folur rreth këtij sulmi për “Kosovo Online”.

“Unë këtë e shoh si një sulm ndaj familjes time dhe jo personalisht ndaj meje. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit”, ka thënë Rosiq.

Lidhur me rastin ka folur edhe personi tjetër që ka qenë cak i këtij sulmi.

“Sot, derisa ishim ulur përpara kafenesë “soprano”, persona të panjohur u afruan dhe na sulmuan. Na goditën me shishe në kokë”, ka thënë Radomir Simoviq, derisa ka pretenduar se sulmuesit janë shqiptarë.

“Ata ndoshta janë shqiptarë, sepse na shanë në gjuhën e tyre, ndërsa na rrihnin”, ka thënë Radomir Simoviq.