Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka publikuar pamjet se si do të duket objekti i shkollës ekonomike, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi thotë se ky objekt i ri do të kushtojë 2 milionë euro.
Postimi i plotë;

Jam i lumtur që sot kam nënshkruar inicimin e procedurave për ndërtimin e Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, e cila do të ndërtohet në kompleksin e shkollave të mesme në Komunën e Podujevës.

Objekti aktual i shkollës së mesme ekonomike do të shndërrohet në shkollë fillore, kjo po bëhet edhe me qëllim të lirimit nga ngarkesa që kanë shkollat fillore në qytet me numër të madh të nxënësve e hapësira të pamjaftueshme.

Vlera e këtij projekti është rreth 2 milionë euro dhe planifikohet të përfundojë në vitin 2024.

Mjetet financiare për realizimin e punimeve në këtë projekt për këtë vit janë siguruar nga tejkalimi i të hyrave vetanake të vitit 2022.

Edhe një zotim i dhënë para qytetarëve po përmbushet!