Ka tri vite që ka filluar zgjerimi i rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë, por as pas tri vitesh punimet nuk kanë përfunduar. E si duket fat të tillë po ka edhe rruga e qendrës së Podujevës “Zahir Pajaziti”. Po bëhen një vit prejse ka filluar zgjerimi i kësaj rruge, por deri më tani vetëm gurët dhe gropat kanë ‘mbizotëruar’ në këtë pjesë që është më e frekuentuara, shkruan Llapi.info
Mirëpo, probleme me ritmin e punimeve po kanë qytetarët, e sidomos bizneset përkitazi me rrugën.
Si rezultat i punës që po vazhdon të bëhet, frekuentuesit detyrohen të kalojnë në rrugë të destinuar për vetura, pasi që trotuari tashmë është i ‘shkatërruar’ në të dyja anët e rrugës, derisa edhe kolonat janë të pashmangshme në këtë pjesë.
Megjithatë, banorët e Komunës së Podujevës dhe jo vetëm, do ta ballafaqohen me hapje kanalesh, zgjerim e asfaltim edhe përgjatë këtij viti. Gjithë kjo, pasi që punimet parashihen të vazhdojnë deri në fund të vitit 2019, me kosto rreth 1 milion e 150 mijë euro.
E për drejtorin e Drejtorisë së Urbanizimit në këtë Komunë, Hamdi Jaha, qendra e Podujevës do marrë pamje, siç e ka quajtur ai ‘tejet të bukur’. Jaha, duke arsyetuar hapjen e kanaleve, ka thënë se kjo rrugë do të bëhet me të gjithë infrastrukturën nëntokësore. Thotë se në qendër të Podujevës nuk do të ketë më shtylla.
“Është shumë reale se rruga ka me gjatësi 1.400 metra dhe ka me u ndërtuar me të gjithë infrastrukturën nëntokësore. Kjo do të thotë, kanalizim fekal, atmosferik, ujësjellës dhe energjinë elektrike. Secila e ka pjesën e vetë kah ka me u rrugëtuar. Punimet janë deri në fund të vitit, por besojmë që do t’i kryejmë më shpejtë”, ka shtuar ai.
“Do të kemi kanale edhe në mes të rrugës për këtë arsye edhe do të mbyllet rruga dhe do të hiqet komplet asfalti për t’u bërë kanalet dhe do të vendosen sistemet e ujit, energjetike dhe zgjerimi i rrugës. Kostoja për këtë është 1 milion 145 mijë euro”, ka thënë Jaha javë më parë për Llapi.info.
Por, mendim krejt ndryshe sa i përket zhvillimit dhe dinamikës së punimeve e kanë partitë opozitare në Podujevë. Këshilltarët e tyre kanë akuzuar Komunën për neglizhencë të madhe.
“Tash e disa muaj kanë nisur punimet për një projekt i cili nuk është dashur të merr kohë më shumë se 3-4 muaj. Këta e neglizhojnë për disa arsye të veta dhe për t’i larë disa borxhe nga fushata e kaluar”, ka thënë Arbër Blaku i PDK-së.
Sipas Blakut, e gjithë kjo neglizhencë vjen siç e quan ai, “për t’u inauguruar në kohë fushatë për pika politike”.
Se që këto punime po krijojnë probleme dhe po stërzgjaten e thotë edhe Lëvizja Vetëvendosje në këtë Komunë. Vendenis Lahu nga kjo parti opozitare në Podujevë e ka quajtur papërgjegjësi e organeve komunale. Sipas tij, nga mosplanifikimi po bëhet hapja e kanaleve për të tretën herë në trotuaret e kësaj pjese.
“Është shqetësues fakti se po punohet me ritme shumë të ngadalta dhe kjo po u shkakton telashe në lëvizje qytetarëve dhe nxënëseve. Neglizhenca e organeve komunale në përmbushjen e obligimeve të tyre në raport me qytetarët. Hapja e trotuareve për të tretën herë brenda një viti tregon se komuna jonë investimet i kryen pa kurrfarë planifikimi. Kjo të bënë të mendosh që investimet kryhen varësisht nga nevojat e operatoreve ekonomikë e jo nga nevojat e qytetarëve”, ka thënë Vendenis Lahu i VV-së.
Ndryshe, në këtë rrugë e cila pritet të bëhet bulevardi që ka dështuar dy herë, është shkatërruar asfalti që ishte shtruar pak para zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në Kosovë./Llapi.info