Me vite të tëra ka përfunduar ndërtimi i objektit të Administratë së re komunale në Podujevë. Por, i njëjti ka mbetur i pashfrytëzuar, ani pse në të janë investuar rreth një milion euro, njofton Llapi.info.

Vit pas viti është shtyrë që puna të fillonte në Administratën e re. E zvarritja që në këtë objekt të vendoset komuna e vjetër ka bërë që qyteti i Podujevës të jetë edhe pa bibliotekë. Kjo e fundit ishte “karrem” që të shkatërrohet për t’u zgjeruar një rrugë.

Për këtë, Komuna pati vendosur që derisa të ndërtohet objekti i ri i bibliotekës, e njëjta të zhvendoset përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale. Por, një gjë e tillë s’ka ndodhur. Kjo pasi që ende s’është zhvendosur komuna e vjetër që t’i lirohet hapësira bibliotekës së qytetit.

Edhe në Komunën e Podujevës patën deklaruar për Llapi.info, se rrënimi i objektit ku ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit është bërë për ndërtimin e “Rrugës së Xhamisë”.

“Pas rrënimit të objektit të vjetër administrativ, në të cilin ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit, fondi i librave është duke u ruajtur në një vend të sigurt. Biblioteka e qytetit, deri në ndërtimin e objektit të ri, do të transferohet përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale”, thuhej në deklaratën e Zyrës për Informim.

Zyrtarët patën thënë se shumë shpejt Komuna e Podujevës pritët të marrë përkohësisht epitetin e bibliotekës së qytetit. Të gjitha librat do të zhvendoseshin në këtë objekt. Përkundër që këto premtime ishin bërë në fillim të këtij viti, edhe pas më shumë se një viti Podujeva s’ka një vend për studentë dhe nxënësit e kësaj komune. Komuna nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje.

Ndërkohë, zvarritja e funksionalizimit të administratës së re është duke vazhduar. Punimet kanë filluar para rreth tetë vitesh, ndërsa puna ishte paraparë të fillonte në vitin 2013, mirëpo kjo nuk ndodhi. Pa dështimit të parë, erdhi edhe dështimi i dytë. U përfol që puna të nis më 1 tetor 2018, por Komuna vazhdon punën në objektin e vjetër (nëntor 2019).

Zyrtarë komunalë kanë thënë se kanë mbetur të evitohen edhe disa defekte, përkundër që punimet kanë përfunduar vite më parë.

“Posa të plotësohen kushtet e punës të evitohen defektet e evidentuara, nga autoriteti kontraktues – në këtë rast Komisioni Evropian, administrata komunale do të vendoset në ndërtesën e re. Komuna e ka kryer pjesën e punës së vet, duke bërë inventarizimin e objektit dhe punët e tjera që janë në përgjegjësi të saj. Ashtu siç është planifikuar, posa të zhvendoset administrata komunale në ndërtesën e re, në objektin që do të lirohet do të vendoset biblioteka e qytetit”, ka thënë për Llapi.info zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.

Se cilat kanë qenë shkaqet e zvarritjes dhe kur pritet të fillojë puna në administratën e re komunale, Komisioni Evropian vazhdon të heshtë. Zyrtarë të këtij komisioni s’i kanë kthyer përgjigjet edhe pse të njëjtat janë dërguar ditë më parë nga redaksia e Llapi.info. Donacionin për ndërtimin e Komunës së re e ka bërë ky komision.

Sa i përket mungesës së një salle leximi me t’u rrënuar biblioteka e qytetit, debate të gjata me akuza e kundërakuza ka pasur nëpër seanca të ndryshme të Kuvendit të Podujevës.

Në lidhje me këtë problem, komunarët vazhdimisht janë akuzuar nga opozita se mos-funksionalizimi i përkohshëm i një vendi për lexim, sipas tyre, veç sa e rëndon akoma më shumë gjendjen e arsimit në Komunën e Podujevës./Llapi.info