Zgjerimi i rrugës nacionale nga rrethrrotullimi Besi – Podujevë, punimet të cilat kanë filluar para dy viteve janë duke vazhduar me ritëm të ngadaltë.

Nga punimet në këtë pjesë konkretisht në segmentin Lluzhan-Gllamik, po krijohen kolona të gjata.

E kjo gjë ka nervozuar qytetarët të cilët frekuentojnë këtë rrugë. Sipas tyre, është e pakuptimtë që zgjerimi i kësaj rruge të zgjatë kaq shumë.

Përveç kalimtarëve, probleme nga këto punime po kanë edhe bizneset skaj kësaj rruge. Pronarë të lokaleve thonë për Llapi.info se vonesat për dy deri në tri kilometra kanë filluar shumë kohë më parë.

“Shumë kanë zgjat këto punime, dy deri në tri kilometra me i shtu me asfalt për dy vjet edhe hala nuk janë kry kjo është shumë e pakuptimtë. Tash kjo rrugë çdo ditë kolona e presin njerëzit deri në 1 orë në kolonë. Edhe neve si biznese nga dëmtojnë e sidomos pluhuri”, ka thënë një pronar në fshatin Gllamnik.

Mirëpo, nga Ministria e Infrastrukturës thonë se javën tjetër do të nis asfaltimi i njërës korsi në punimet në këtë magjistrale. Kështu ka thënë për Llapi.info zv/ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

“Javën e ardhshme do të nis edhe asfaltimi i njërës korsi”, ka thënë Kadriu.

Në lidhje me punimet të cilat kanë filluar para dy viteve, e që nuk janë përfunduar akoma dhe të cilat janë zgjatur, Kadriu ka bërë fajtore ish-qeverinë.

“Punimet në zgjerimin e rrugës nacionale N 25, në rrethrrotullimin Besi – Podujevë, nuk kanë përfunduar në kohën e paraparë për shkak të buxhetit të pa planifikuar mirë nga ish – qeverisja. Vonesë në kryerjen e punimeve kanë shkaktuar problemet me shpronësime”, ka thënë Kadriu.

“Ju informojmë se kompania e kontraktuar “Al Trade” ka rifilluar punimet para 5 ditësh dhe do të vazhdojë punën me intensitet të shtuar deri në përfundim të projektit”, ka përfunduar Kadriu.

Kujtojmë, punimet për zgjerimin e rrugës e rrugës Besi – Podujevë në segmentin Lluzhan – Gllamnik, kanë rifilluar në muajin maj të këtij viti./Llapi.info