Punimet në rrugën Shkup-Bllacë, vazhdojnë të mbesin në fazën përgatitore.

Ekskavatori i parë në një pjesë të terrenit ku duhet të ndërtohet kjo autostradë u shfaq rreth tre muaj më parë, raporton Alsat-M.

Në janar autoritetet maqedonase premtuan se do të fillojë ndërtimi i autostradës. Mirëpo nga shtatori po ashtu autoritetet, thanë se janë duke punuar në përgatitjen e terrenit për të filluar ndërtimet. Dhe sot pas 10 muajsh, prej kur u bënë premtimet e para, ende po shihet se po punohet në përgatitjen e terrenit.

Nga “Rrugët Shtetërore” thonë se gjithçka po zhvillohet sipas planit dhe marrëveshjeve për ndërtimin e rrugës.

“Punët kanë filluar më 27.07.2020, ndërsa afati është 18 muaj nga fillimi i punës. Duke marrë parasysh atë që ndërtimi deri në këtë moment rrjedh në pajtueshmëri me marrëveshjet dhe dinamikën, presim që faza e parë të mbarojë në suaza të periudhës kohore të parashikuar me Marrëveshjen, duke e marrë parasysh, gjithsesi edhe situatën ekzistuese me koronavirusin”, thanë nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore për Alsat-M.

Faza e parë e autostradës Shkup-Bllacë, e cila është dy kilometra, duhet të përfundojë në dhjetor të vitit 2021. Ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski, gjatë qëndrimit në Kosovë kishte deklaruar se kanë hasur në disa probleme në një pjesë të vendit ku duhet të kalojë Autostradës Shkup-Bllacë, por përsëri premtoi se autostrada do të jetë gati deri në fund të vitit 2022.

E gjithë autostrada në pjesën e Maqedonisë është 12.5 km, kurse në pjesën e Kosovës është pesëfish më e gjatë.

Kosova, pjesën e saj të autostradës nga Prishtina deri në Bllacë ka kohë që e ka përfunduar, ku përfshihet edhe një prej urave më të gjata në rajon.