Punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë që kanë filluar nga viti 2016, janë duke u përcjellë me akuza të shumta për zvarritje, njofton Llapi.info

Kjo rrugë e cila lidhet edhe me pikën kufitare në Merdare, është njëra ndër më të frekuentuara në Kosovë. Por për ngecje, akuza të shumta janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, teksa kjo e fundit ka drejtuar pak gishtin edhe te Komuna e Podujevës.

Tani, pas 3 viteve zvarritje, protesta e akuza, ka reaguar edhe deputeti nga Llapi, Fidan Rekaliu. Ky i fundit ka bërë edhe një pyetje parlamentare për të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj të parin e AAK-së, parti kjo e cila edhe ka në dorë Ministrinë e Infrastrukturës.

Rekaliu ka pyetur kryeministrin e Kosovës se a është në dijeni për neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë.

Duke shtuar për frekuentimin e kësaj rruge nga e cila kalojnë mërgimtarët, punimet po bëhen, siç ka shkruar ai, me dinamikë të ulët, pa cilësi dhe jashtë standardeve.

“Kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin se lidh vendin tonë me pikën kufitare në Merdar, prej nga edhe udhëtojnë shumë bashkatëdhetarë. I nderuar Kryeministër a jeni të informuar për problemet, neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë?”, ka shkruar ndër të tjerash në Facebook, Fidan Rekaliu.

Image may contain: text


Ndryshe, punimet në zgjerimin e kësaj rrugë kanë filluar në shtator të vitit 2016, në kohën kur ministër ishte Lutfi Zharku.

Për zvarritjen e punimeve edhe është protestuar, teksa janë paralajmëruar protesta tjera nga grupet parlamentare në asamblenë komunale të Podujevës./Llapi.info