Kolona të gjata po krijohen në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë, shkruan Llapi.info.
Të tilla kolona ka pasur edhe mesditën e sotme. Në pamjet që kanë arritur në adresë të Llapi.info shihet se kolona ka arritur deri në Trudë.
Shkak i këtij kaosi, përveç veturave të shumta edhe të mërgimtarëve, janë edhe punimet që kanë nisur në rrugën që lidh Llapin me kryeqytetin.
Madje, sot në këtë rrugë ka nisur të asfaltohet lloti i katërt. Kështu ka bërë të ditur në Facebook zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke shtuar se do t’i kryejnë punimet në projektet që sipas tij janë zvarritur me vite.
“Grupet e organizuara kriminale nuk na ndalin Mision e kemi që sa më parë të përfundohen projektet që janë zvarritur me vite të tëra. Sot po asfaltohet shtresa e parë në projektin “Ndërtimi i rrugës nacionale N25, segmenti Besi – Podujevë, Llot 4”. Për qytetarët dhe vetëm për ta, pavarësisht pengesave, sabotazhave e përpjekjeve të grupeve të organizuara kriminale që të na pengojnë”, ka shkruar ai.
Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku. Por, edhe pas ndërrimit të pushteteve, MI është akuzuar se ka mungesë të planit të për ndërtimin e kësaj rruge, pasi në të, përveç tjerave, mungojnë vend-stacionet për autobusë e shiritat ndihmës. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për dinamikën e ulët të punimeve për këto vite vazhdimisht kanë fajësuar banorët për shpronësime.
Si pasojë e dinamikës dhe lënies së punëve në gjysmë, kjo rrugë, shpeshherë ka qenë e rrezikshme për vozitësit, ndërkohë që edhe numri i aksidenteve fatale për këto vite ka qenë i madh./Llapi.info
Durmishi: Grupet e organizuara kriminale nuk na ndalin, sot po e asfaltojmë rrugën Besi-Podujevë