Problemi i pusetave në qytetin e Podujevës tashmë e sa kohë po vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Përgjatë rrugëve të qytetit mund të shihen puseta të shumta të cilave iu mungojnë kapakët. Përderisa këto puseta janë të pa mbuluara ato po paraqesin rrezik për qytetarët e Podujevës, njofton Llapi.info.
Sipas zyrtarëve komunal problemi kryesor i këtyre pusetave është vjedhja e kapakëve. Shefi i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës, Rasim Fejza, tha se kompania për mirëmbajtjen e ujëmbledhësëve po bën vendosjen e kapakëve nëpër puseta të dëmtuara, mirëpo prapë qytetarët e pandërgjegjshëm po i vjedhin ato.
“I kemi qit koxha shumë ama prapë po i marrin. Kompania për mirëmbajtjen e tyre rregullisht i plotësojnë ato vende ku mungojnë kapakët mirëpo pas pak kohe e shohim që përsëri dikush i ka marrë. Kompania u dalë me i kontrollu edhe besoj që së shpejti kanë me i rregullu prapë” tha Fejza për Llapi.info
Fejza ndër të tjera tha se janë duke u mundur të gjejnë zgjidhje për këtë problem në mënyrë që këto puseta të mos mbesin të hapura. Si zgjidhje ai tha se janë duke i provuar vendosjen e kapakëve të plastikës.
“Kemi mendu që nëse i vendosim kapakët e plastikës nuk do t’i marrë askush pasi që po besojmë se plastika nuk do t’u shërbejë për përfitime material. Kapakët e plastikës së pari do të vendosen para Palestrës së Sportit për me pa nëse po kemi sukses” shtoi më tutje Fejza.
Fejza nuk la pa përmendur edhe rastet e fundit kur është intervenuar në këto puseta siç është rasti i asaj para objektit të Komunës së Podujevës që mund t’a shihni edhe në foton më poshtë./Llapi.info
Ndërsa, këto janë disa foto të disa pusetave të dëmtuara në qytetin e Podujevës.