Në kuadër të takimeve të përbashkëta, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi një tryezë me gratë afariste, ku u diskutua për sfidat e shumëta të të bërit biznes, duke përfshirë edhe Ligjin e punës, respektivisht ligjin e lehonisë, i cili konsiderohet si një ligj me interes për mbarë shoqërinë.
Të ftuara në këtë tryezë ishin gratë afariste nga bizneset anëtare. Paneliste ishin Drita Rexhepi dhe Gëzime Rexhepi Çollaku.
Gjatë këtij takimi u vunë në pah shumë ankesa në ligjin aktual dhe u kërkua që ky ligj të ndryshohet, për vet faktin se dispozitat e tij e bëjnë që femrat të jenë të diskriminuara, duke detyruar që bizneset private të fillojnë të jenë më selektive gjatë procesit të rekrutimit, pasiqë kjo po mbetet barrë e rëndë për bizneset.
Donika Gashi, koordinatore e OAK-së, e cila e udhëhoqi këtë takim theksoi se Ligji për pushimin e lindjes, shihet si një instrument i rëndësishëm për të ndihmuar femrat në ndërtimin e karrierës. Oda është e përkushtuar që të përkrahë fuqizimin e grave afariste dhe si rrjedhojë e kësaj është e interesuar që të formojë sektorin e grave afariste në OAK.
Rexhepi theksoi se zbatimi i ligjit të punës dallon nga sektori publik dhe ai privat, andaj kjo gjë kërkon përfshirje të shumë akterëve, debate publike, trysni tek personat përgjegjës e krijimin e mekanizmave përkatës për luftimin e kësaj dukurie. Ndërsa znj. Çollaku theksoi se problematikë shumë e madhe e pushimit të lehonisë për bizneset është fakti se përveç kompensimit të pushimit të lehonisë janë detyruar të marrin edhe një të punësuar për të zëvendësuar atë që shkon në pushim. Si rrjedhojë edhe hezitimi për të punësuar femra është mëse evident, ndërsa ato biznese që e kanë medoemos të punësojnë femra, po dëmtohen shumë rëndë.
Prandaj znj. Çollaku rekomandoi se duhet të bëhen lehtësime për sektorin privat, çoftë në tatime apo stimulime të tjera për bizneset që punësojnë femra. Ajo rrëfeu faktin se ligji i lehonisë është një barrë e rëndë për biznesin e saj dhe se është e prekur drejtpërdrejtë nga ky ligj, për shkak se ka një staf prej afër 80 të punësuarve femra dhe pagesat e pushimit të lehonisë janë duke e rënduar dyfish, jo vetëm pagesën që duhet të bëhet për lehonën, por edhe për zëvëndësuesen që duhet të merret në punë.
Gjatë këtij takimi në bashkëbisedim me gratë afariste, OAK del me disa nga rekomandime:
1. Pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti, për 12 muaj.
2. Fillimisht në periudhën prej 30 ditësh para lindjes së fëmijës femra të mund të marr pushimin e lindjes dhe kjo periudhe 30 ditëshe të mbulohet nga biznesi 100% të pagës aktuale;
3. Po ashtu, të lihet opsion që nëna në rast se dëshiron mund të vazhdojë pushimin edhe për 3 muaj të tjerë, në këto raste pushimi të jetë pa pagesë.
4. Rekomandohet të aplikohen stimulime për lindjen e fëmijëve, Qeveria të jep shtesa për çdo fëmijë të lindur;
Duke u cilësuar si çështje me interes kombëtar dhe interes i politikës publike, OAK mendon që për të ndryshuar ky trend shumë i rëndë në dëm të femrave, shteti është ai i cili duhet që të merr përsipër pagesën e lehonave.
Oda e Afarizmit të Kosovës është e përkushtuar që edhe më tutje të vazhdoj të perkrah biznesin Kosovar, duke qenë një zë i fuqishëm i biznesit.