Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar më herët për aksionin e EULEX-it në zyrat e veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qalaj tha se ishte njoftuar nga kolegu i tij nga EULEX-i për këtë operacion në momentin që operacioni kishte filluar.
“Që nga themelimi deri këto ditë nuk kemi pasë ndonjë kontakt me Gjykatën Speciale. Ndodhën këto arrestimet që ndodhën para disa ditëve. Është fakt që në aksionin e parë nuk kemi qenë të përfshirë, por unë si drejtor i Policisë kam qenë i njoftuar që është duke u zhvilluar një operacion. Momentin kur ka filluar jam njoftuar nga kolegu im nga EULEX-i. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë. E kemi parë që është krijuar një tollovi para zyrës së OVL-së dhe është dashur Policia e Kosovës të bëj një qetësim të situatës, ta quaj ashtu dhe besoj që kemi ndikuar mjaft shumë që situata të qetësohet”, ka thënë Qalaj në KTV.
Tutje ai tha se ka kërkuar që Policia e Kosovës të jetë primare në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në vend dhe u shprehë optimist se do të ketë avancim në këtë çështje.
“Vendimet janë të zyrtarëve që punojnë në Hagë. Askush nuk mund ta dojë Kosovën më shumë së pjesëtaret e Policisë së Kosovës dhe ne jemi këtu, jemi institucion i zbatimi të ligjit. Unë kam biseduar edhe me shumë partnerë tanë dhe kam kërkuar që Policia e Kosovës të jetë primare në të gjitha aktivitetet që zhvillohen në vend përshirë edhe veprimet në rast se kemi ndonjë fletëarrest nga Gjykata Speciale. Kemi një bashkëpunim të mirë me EULEX-in dhe besoj që do të ketë avancim në këtë çështje”, ka thënë Qalaj.