Qendra kulturore me emrin e Nexhmije Pagarushës në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë, është nismë e organizatës joqeveritare “Troja” e përkrahur nga Ministria e Kulturës. Komuna e Malishevës qysh në korrik të vitit 2018 ka ndarë parcelën prej 25 arësh, që gjendet afër truallit ku është lindur Pagarusha e po ashtu edhe afër kroit që ajo e ka përmendur shpesh nëpër intervista kur përshkruante fëmijërinë në fshat. Planifikohej që guri themeltar i kësaj qendre të vihej më 2019, por procesi për përzgjedhjen e projektit s’u finalizua as më 2020

Prishtinë, 31 dhjetor – Janë bërë më shumë se dy vjet qëkur Ministria e Kulturës ia ka mësyrë që të ndërtojë një qendër kulturore në fshatin Pagarushë të Malishevës. Por deri tash nuk ia ka dalë që të ketë as projekt.

Qysh prej tetorit të vitit 2018 kanë nisur procedurat e sigurimit të projektit për këtë qendër kulturore që është caktuar ta ketë emrin e Nexhmije Pagarushës, e cila ka marrë epitetin “Bilbili i Kosovës”. Institucioni më i lartë kulturor në vend planifikonte që vitin e kaluar të vihej edhe guri themeltar i objektit. Për këtë ishte dakorduar qysh asokohe edhe diva e muzikës shqipe, e cila vdiq më 7 shkurt të 2020-s dhe u varros në fshatin Pagarushë.

Tenderi për “hartimin e projektit ideor dhe projektit zbatues për qendrën kulturore në Pagarushë të Malishës” ishte hapur në tetorin e 2018-s. Është shndërruar në një prej proceseve më të gjata të prokurimit publik në MKRS. Një varg ankesash janë bërë në Ministri dhe në organin Shqyrtues të prokurimit Publik. Kanë konkurruar tri kompani. Por shpejt kanë nisur ankesat.

Sipas të dhënave të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, procesi është pezulluar pesë herë. Për herë të fundit kjo ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar.

Në shkurt të vitit 2019 Ministria e Kulturës kishte përzgjedhur një projekt. Po atë muaj një kompani kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të projekteve e më pas ishte ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pas dy muajsh, në prill, OShP-ja e kishte kthyer lëndën në rishqyrtim. Në qershor MKRS-ja do të dilte me rezultat të ri, duke e përzgjedhur një tjetër projekt. Kishte pasuar edhe një ankesë që do ta shtynte MKRS-në ta pezullonte aktivitetin e prokurimit. Por ankesat nuk përfunduan me kaq.

Në korrik të 2019-s është ankuar në OShP kompania “GM Architecture SH.P.K”. Akuzonte Ministrinë e Kulturës për shkeljen e katër neneve të Ligjit për prokurim publik. Pas një tjetër rivlerësimi është ankuar një tjetër kompani.

“Procedura e aktivitetit të prokurimit lidhur me Hartimin e projektit ideor dhe projektit zbatues për qendrën kulturore në Pagarushë të Malishevës është në procedurë ankimore në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Seanca dëgjimore lidhur me këtë aktivitet të prokurimit është mbajtur më 22 janar të vitit 2020 në OSHP dhe se që nga kjo datë e njëjta ende nuk ka lëshuar vendimin përfundimtar lidhur me këtë aktivitet të prokurimit”, kishte thënë drejtori i Zyrës së prokurimit në MKRS, Burim Reçica në shkurt të 2020-s.

Asokohe në një përgjigje për gazetën, kompania “GM Architecture SH.P.K” me seli në Prishtinë kishte thënë se nuk janë pajtuar me vlerësimin e MKRS-së, pasi konsiderojnë se projekti i tyre është më i miri.

“Kemi bërë ankesë dhe OShP-ja na e ka kthyer në rivlerësim. Komisioni na ka shpallë fitues dhe është ankuar dikush tjetër dhe deri tash janë mbajtur katër seanca”, shkruhej në përgjigjen e kompanisë. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, zvarritja është për keqardhje.

Por vendimi i ri i OShP-së krejt procesin e ka kthyer prapa.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik e ka kthyer lëndën në rivlerësim. Kemi themeluar një komision të ri dhe do të bëjmë rivlerësim”, ka thënë drejtori i Zyrës së Prokurimit në MKRS, Burim Reçica.

Qendra ishte nismë e organizatës “Troja” nga Malisheva. Albana Hoti, që është drejtoreshë e organizatës, ka thënë se Pagarusha ishte entuziazmuar me idenë.

“Kur ia kemi shpalosur projektin ka qenë e entuziazmuar. Na ka treguar se do që të varroset në Pagarushë. Jemi drejtuar në MKRS dhe na kanë përkrahur. Pastaj edhe Komuna e ka përkrahur idenë dhe ka ndarë parcelën”, ka thënë ajo.

Tenderi për “hartimin e projektit ideor dhe projektit zbatues për qendrën kulturore në Pagarushë të Malishevës” ishte hapur në tetorin e 2018-s. Është shndërruar në një prej proceseve më të gjata të prokurimit publik në Ministrinë e Kulturës

Qendra planifikohet të ndërtohet afër truallit ku është lindur Pagarusha e po ashtu edhe afër kroit që ajo e ka përmendur shpesh nëpër intervista kur përshkruante fëmijërinë në fshat. Në rast të ndërtimit të qendrës, ajo do të ishte nja 80 metra larg shtëpive të kushërinjve të këngëtares. Shtëpia e saj e lindjes ka kohë që është rrënuar.

Për këtë projekt kabineti i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, kishte planifikuar 200 mijë euro për vitin 2018.

Samir Hoxha, drejtor i qendrës rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ishte këshilltar i ish-ministrit të Kulturës. Ai ka thënë se si kabinet i MKRS-së e kishin parë të arsyeshme që të përkrahet një iniciativë e disa të rinjve të Malishevës që veprojnë në kuadër të organizatës “Troja”.

“Ne e kemi përkrahur këtë nismë, por proceduralisht ka ngecur. Janë bërë disa ankesa dhe në bazë të ligjit ato marrin kohë. Është vonuar shumë kjo çështje, por nuk kemi pasur çfarë të bëjmë. Ideja jonë ka qenë që vitin e kaluar të vendoset edhe guri themeltar”, ka thënë Hoxha. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2020, ishin paraparë 100 mijë euro. Kurse për vitin 2021 për këtë projekt janë ndarë vetëm 30 mijë euro.

Këngëtarja Pagarusha, që ka vdekur në moshën 86-vjeçare, është varrosur në fshatin e saj 10.3 kilometra larg Malishevës. Ajo është vlerësuar si ikonë e artit, yll frymëzues e zë i papërsëritshëm.