Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka anuluar një vendim të të marrë nga qeveria e kaluar, që lidhet me tre kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

“Ne kemi një rregullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm, kështu mundësohet kufizimi i ndikimit të paautorizuar në vendimmarrje dhe sigurohet stabilitet në regjimin rregullator. Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë”, ka thënë Kryeministri Albin Kurti, derisa ka treguar për vendimin e marrë.

Kurti ka shtuat se rihapja konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë

“Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi. Rihapja e konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë për këto pozita. Konsiderojmë se kjo vlen posaçërisht në kontekstin e një ndryshimi të madh shpresëdhënës në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”.

“Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë”.