Paralajmërojnë greva.
Sot është mbajtur takimi i Sindikatës së Kryesisë së Postës me menaxhmentin e Postës së Kosovës, ku kanë kërkuar nga ky i fundit zgjidhje që punëtorët të mos mbesin pa paga.

Takimi është konfirmuar për lajmi.net nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës (SPP), Etrit Hoti. Ai ka thënë se nuk do të lejojnë të dëmtohen punëtorët e pastës gjersa nuk ka përjashtuar mundësinë e grevës së serishme.

“Ne i kemi paraqitë qëndrimin e Sindikatës menaxhmentit të Postës dhe i kërkuam që të bën zgjidhje me Qeverinë e Kosovë që punëtorët e postës mos të mbesin pa paga. Nuk pranojmë më u dëmtuar punëtorët tanë”, ka thënë ai.

Menaxhmeti i kësaj ndërmarrjeje thotë se u është drejtuar qeverisë për këtë problem, por nuk i janë përgjigjur ende.

“Ata (menaxhmenti i Postës) me shkresa zyrtare na raportuan që iu kanë drejtu Qeverisë, por thanë se nuk kanë marrë përgjigje, po presim edhe pak”, ka thënë më tutje kryetari i SPP-së.

Lajmi.net ka provuar sot në vazhdimësi të kontaktoi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Lajmi.net ka tentuar të marr një deklaratë edhe nga Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, por as ky nuk e ka marrë mundin të flas.

Qeveria e Kosovës i ka borxh Postës së Kosovë rreth 5 milionë euro.

Ky borxh është krijuar për shkak se Qeveria nuk ka rimbursuar humbjet që ka pësuar Posta gjatë ofrimit të shërbimit universal postar nga viti 2013 e deri më sot. Këtë shërbim Posta është e obliguar të kryej në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht humbjeve, ndërkaq Qeveria është e obliguar me ligj të mbulojë humbjet financiare.

Gjatë ofrimit të këtij shërbimi, Posta e Kosovës ka krijuar më shumë shpenzime se sa të hyra për shkak të tarifave të ulëta për të dërguar dërgesat. Letra e thjesht për 0.40 euro duhet të dërgohet në fshatrat më të thella të Kosovës.

Mbulimin e humbjeve prej 4,947,097.18 Euro ndërmarrja publike Posta e Kosovës është duke e kërkuar nga Qeveria për vite me radhë.