Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rradhës ka marrë vendim për shfuqzimin e vendimit të cilit obligonte Doganën e Kosovës të vendosë masën e përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve, perimeve dhe qumështit me origjinë nga Bosnja.
Kjo është bërë e ditur edhe nga vetë zyra e kryeminstrit përmes një komunikate për media, shkruan lajmi.net.
“Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shfuqizimin e vendimit 02/57 të datës 17.07.2018 që obligon Doganën e Kosovës për zbatim të vendimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve, perimeve dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnjë dhe Hercegovina. Gjithashtu është shfuqizuar edhe vendimi 15/58 i datës 24.07.2018, për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit 02/57 të datës 17.07.2018”, është bërë e dityr në këtë komunikatë.
Sipas statistikave Kosova brenda një vitit importon rreth 9 milionë litra qumësht nga Bosnja e Hercegovina në vlerë rreth 6 milionë euro. Vetëm në gashtë mujorin e parë të këtij viti, nga Bosnja e Hercegovina janë importuar 4 milionë e 400 mijë litra qumësht në vlerë prej 2 milionë e 500 mijë euro.
Kujtojmë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kishte njoftuar më 16 prill, se vendimi për masa mbrojtëse për qumështin është bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1, të nenit 2, të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.
“Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit”, kishte njoftuar MTI.
Siç parashihet në nenin 8 të Ligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcënon që t’u shkaktojë, sipas MTI-së dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme.