Qeveria e Kosovës i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës një raport mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Në njërën prej marrëveshjeve për të cilat Qeveria u tregon deputetëve, është edhe marrëveshja për mbrojtjen civile në veri. Institucionet e Kosovës kishin ndërmarrë masa për integrimin e pjesëtarëve të mbrojtjes civile serbe në institucionet e Kosovës.
Për këta pjesëtarë, Qeveria thotë se i ka siguruar të gjitha burimet dhe trajnimet e nevojshme.
“MAPL ka mbajtur 25 takime me ministri dhe agjenci të ndryshme qeveritare. Si rezultat i kësaj, grupi i parë prej 483 pjesëtarëve – prej të cilëve vetëm 25 janë femra – janë integruar në ministritë dhe agjencitë e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në raportin e Qeverisë të cilin e posedon Kallxo.com
Këta 483 pjesëtarë, sipas Qeverisë, janë integruar në bazë të shprehjes së interesit, arsimit dhe përvojës së tyre profesionale, thuhet tutje në këtë raport.
Mirëpo, po në këtë raport Qeveria e pranon para deputetëve se ky integrim i pjesëtarëve të mbrojtjes civile ka “dështuar”.
Qeveria thotë se edhe pse këta persona kanë kontrata me institucionet e Kosovës, në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre, janë të papërgjegjshëm dhe nuk i raportojnë fare institucioneve të Kosovës.
“Megjithëse këta 483 persona të integruar kanë kontrata me institucionet e Kosovës në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës. Personat e integruar nuk janë të përgjegjshëm dhe nuk i raportojnë institucioneve të Kosovës. Personat e integruar nuk janë objekte, materiale apo zyre për të kryer detyrat e tyre. Ka mungesë bashkëpunimi në nivel sektorial ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe personave të integruar”, thuhet tutje në raportin e Qeverisë për deputetët.
Në anët tjetër, kishte dështuar edhe integrimi i 39 ish-pjesëtarëve të MUP-it në stafin administrativ, pasi që komunat veriore kishin refuzuar integrimit e tyre.
“U hasën sfida në integrimin e 39 pjesëtarëve të stafit administrativ nga 71 sosh të policisë paralele serbe (ish “MUP”) në zyrat e gjendjes civile në katër komunat veriore. Megjithatë, komunat veriore kanë refuzuar integrimin e 39 pjesëtarëve të stafit administrativ në strukturat komunale”, thuhet tutje në raport.
Megjithatë, Qeveria thotë se do të angazhohet në forcimin e autoriteteve të sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës, në rritjen e koordinimit ndërmjet institucioneve në nivel qendror dhe stafit të integruar, trajnime të rregullta për të integruarit, ndërtimin e objekteve etj.