Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin që ka pasur sot kryeministri Albin kurti me homologun e tij belg, Alexander De Croo,
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim me homologun belg, bashkë me Kurtin kanë qenë edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Në këtë takim, kryeministri De Croo ritheksoi mbështetjen e Belgjikës për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, e falënderoi kryeministrin De Croo për letrën e urimit me rastin e marrjes së detyrës, për mikpritjen, angazhimin dhe mbështetjen e dhënë Kosovës nga ai dhe shteti belg në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe transatlantik. Ai e njoftoi kryeministrin De Croo për përkushtimin dhe prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik, dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19”, thuhet në komunikatë.
Përveç liberalizimit të vizave, nga qeveria kanë njoftuar se cilat çështje të tjera u diskutuan në këtë takim.
“Në takim, kryeministri Kurti dhe kryeministri De Croo, diskutuan rreth mundësive dhe formave të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve, me vëmendje të veçantë te përfshirja e mërgatës sonë, e cila është integruar mirë dhe kontribuon në Belgjikë. U bisedua për vaksinat kundër COVID-19, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e tyre dhe mundësitë e mbështetjes së Belgjikës në këtë synim. Në këtë takim morën pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj dhe ministrja këshilltare, Gjeneza Budima”, thuhet tutje.