Komisioni Evropian gjatë kësaj jave pritet ta japë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërkohë Qeveria e Kosovës është optimiste në lidhje me këtë çështje.
Këshilltari i kryeministrit për media, Halil Matoshi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se raporti i Komisionit Evropian (KE) lidhur me liberalizimin e vizave pritet të jetë pozitiv.
“Në bazë të veprimeve që janë ndërmarrë nga institucionet e vendit, rekomandimi i Komisionit për liberalizim do të jetë pozitiv” , ka thënë Matoshi.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm pa viza brenda gjashtë muajve.
“Liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda gjashtë muajsh”, ka shtuar Matoshi për lajmi.net.
Ai ka theksuar se përgjigja nga raporti për rekomandim pritet të jetë pozitive pasi që institucionet e vendit kanë punuar rreth kësaj çështje.
“Besimin tonë e mbështesim në punën e madhe që e kanë bërë institucionet e vendit, sidomos në sundimin e ligjit”, ka përfunduar Matoshi.
Theksojmë se zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të publikohet ky raport.