Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhetin për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, të cilat mbahen më 15 mars, raporton Llapi.info.
Në mbledhjen e mbajtur, ministri i Financave, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se kërkesa e KQZ-së së bashku me PZAP-në arrin shumën e 510 mijë eurove, duke përfshirë të gjitha shpenzimet për shërbime dhe mallra dhe mëditjet shtesë.
Ministri Bislimi është shprehur se kërkesa për pagesë për mëditje shtesë prej 18 mijë euro nga KQZ është e paligjshme dhe e pakuptueshme. Ai ka kërkuar që kjo e fundit të mos aprovohet.
“Ne si ministri jemi shokuar me mënyrën dhe profesionalizmin e KQZ-së në përpilimin e kërkesës dhe planifikimin e shpenzimeve”, ka shtuar Bislimi.
Ministri Bislimi është shprehur se kërkesa për pagesë për mëditje shtesë prej 18 mijë euro nga KQZ është e paligjshme dhe e pakuptueshme.
“Si ministri kërkojmë të refuzohet kërkesat e PZAP-së dhe KQZ-së për shpenzime shtesë dhe mëditje”, tha Bislimi.
Me këtë kërkesë të Bislimit nuk u pajtua zëvendëskryeministri Hoti i cili tha se duhet të aprovohet buxheti siç është kërkuar nga KQZ, por kërkesa e tij nuk u morr parasysh.
“Duke qenë se KQZ-ja është e pavarur nga qeveria dhe kryen një obligim kushtetues duhet të sigurohemi që t’ia ndajmë mjetet e nevojshme. Unë jam që ne të mbështesim kërkesën e KQZ-së ashtu siç ka ardhur por që ju të kujdeseni se si po shpenzohen këto mjete”, tha Hoti.
Bislimi iu përgjigj Hotit duke i thënë se si ministër nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor me paranë publike.
“Për aq kohë sa unë jam ministër i Financave nuk do të lejoj të keqpërdoren paratë e shtetit. Propozimi që kërkoj të votohen mjetet për mallra dhe shërbime, por jo të votohen mjetet për mëditje shtesë”, është kundërpërgjigjur Bislimi.
Ky vendim i ministrit Bislimi u votua nga shumica e ministrave, ndërsa 5 prej tyre kanë abstenuar./Llapi.info