Edhe pse ishte e paraparë që punëtorët shëndetësorë do të merrnin shtesa edhe për muajin shtator, këta të fundit përveç rrogës bazë, nuk kanë marrë asgjë shtesë, shkruan Gazeta Express.
Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës, mori vendim që t’u ndajë pagesa shtesë punëtorëve shëndetësorë, për shkak të kontributit që po japin gjatë pandemisë Covid-19.
Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, e ka konfirmuar për Gazetën Express, se punëtorët shëndetësorë ende nuk i kanë marrë shtesat e premtuara.
Ai është shprehur se kanë informata se ato do t’i dalin në fund të këtij muaji.
“Ende nuk kanë dal shtesat. Informatat janë që ato do të dalin në këtë muaj, për muajt shtator dhe tetor”, ka thënë ai.
Syla ka thënë, se për muajin shtator e muajt tjerë në vijim, përveç pagës së tyre bazë, mjekët do të marrin edhe 250 euro shtesë, infermierët 150 euro, ndërsa stafi mbështetës 100 euro.
Ndërsa, edhe Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive, e ka pohuar se këta të fundit nuk kanë marrë ende pagesat shtesë.
Ai është shprehur i pakënaqur me shumën që i është ndarë infermierëve, duke thënë se kontributi i tyre gjatë kohës së pandemisë është shumë i madh, andaj edhe do të duhej të paguheshin më shumë.
“Jo nuk i kanë marrë ende shtesat. Po presim që në fund të muajit t’i marrim ato. Ne nuk jemi të kënaqur me shumën që i është ndarë infermierëve, këtë çështje disa herë e kemi ngritur. Pres reflektim nga institucionet”, ka thënë ai.
Express ka kërkuar informata edhe nga Ministria e Shëndetësisë, për vonesat në ekzekutimin e shtesave për punëtorët shëndetësorë.
Zyra për informim në këtë ministri, ka thënë se i kanë përcjell listat për pagesa.
“MSh i ka përcjellë listat për pagesat e shtesave të institucioneve vartëse javën e kaluar, dhe tash pritet vetëm ekzekutimi i tyre”, kanë thënë nga MSH.
Kujtojmë që më 29 tetor, Qeveria Hoti kishte marrë vendim që të paguaj shtesë të gjithë punëtorët shëndetësorë të cilët po ballafaqohen me pandeminë Covid-19.
Kryeministri Hoti kishte thënë se në fillim të viti të ardhshëm, do të shihen mundësitë për pagesat shtesë për kohën sa do të zgjasë pandemia Covid-19 në Kosovë.