Me vrull e kishin filluar garën për të marrë drejtimin e komunave në të cilat garonin. Kandidatët për kryetarë që e kishin nisur këtë mision për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, pa e ditur nëse do t’ia dilnin mbanë zotimeve të dhëna.
Stazhierët në qeverisjen lokale s`e kanë pasur problem të bëjnë edhe premtime për të cilat e kanë ditur se janë zor të realizueshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Si të parët, ashtu edhe të dytët nuk janë kursyer të japin shifra milionëshe e emra projektesh që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunave ku garonin. Por, pas marrjes së mandateve, asgjë nuk ishte më njësoj.
Një pjesë e atyre premtimeve vlejtën vetëm për kohë fushate- si karrem për të ardhur në pushtet. Pjesa tjetër u realizua për interesa partiake, e klanore. Një pjesë simbolike mbeti edhe për qytetarët e zakonshëm.
Tashmë katër vjet qeverisjeje kanë kaluar, ashtu si shumë premtime që janë harruar.