Që nga korriku i vitit 2014, Qendra Klinike e Mjekësisë Familjare në Podujevë është duke u menaxhuar vetëm me ushtrues detyre, shkruan Llapi.info
Që nga kjo kohë kur Zaim Thaçi kishte lënë postin e udhëheqësit të QKMF-së për një post në Ministrinë e Shëndetësisë, kjo qendër nuk ka pasur më një drejtor i cili do e dërgonte mandatin e tij deri në fund.
Pas Thaçit, atë kohë, si ushtrues detyre kishte ardhur Afrim Shabani, i cili ishte edhe këshilltar komunal nga radhët e LDK-së. Mirëpo, edhe periudha e Shabanit në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKMF- së nuk ishte e gjatë, kjo pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte kërkuar nga ai që të lironte njërën pozitë për shkak të konfliktit të interesit në të cilën gjendej.
Por, edhe pse Shabani la këtë post për një punë tjetër në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, QKMF-ja sërish nuk u bë me drejtor. Detyrat i kryente zëvendësdrejtori Zukë Xhemajli.
Pas lënies së postit në Ministrinë e Shëndetësisë, Zaim Thaçi sërish u rikthye në punën që e kishte lënë vite më parë. Mirëpo, kësaj radhe ai nuk u emërua më drejtor i QKMF-së. Titulli i tij tashmë ishte vetëm ushtrues detyre i institucionit më të rëndësishëm në këtë komunë.
Ngjashëm sikurse edhe ushtruesit e tjerë të kësaj detyre, Thaçit sërish iu desh ta linte udhëheqësinë e këtij institucioni. E gjithë kjo, pasi kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu sot emëroi si ushtrues detyre një doktor tjetër.
Fahri Llugaliu është emri i ushtruesit më të ri të detyrës së drejtorit të QKMF-së i cili, sipas Veliut është bërë “me qëllim të menaxhimit efikas dhe ofrimit të shërbimeve cilësore mjekësore, në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Ambulancat në territorin e komunës sonë”.
Ndryshe, Veliu që nga periudha e vitit 2014 ishte kritikuar shumë herë lidhur me emërimet e tilla, të cilat, opozita e kësaj komune i ka quajtur si të pa pranueshme dhe si veprime të dobëta të qeverisjes Veliu./Llapi.info