Janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për blerjen e mamografit për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, transmeton Llapi.info.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sipas nënkryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, ka realizuar projekte të renovimit të objekteve shëndetësore, kurse tashmë janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për blerjen e mamografit për QKMF, ndërtimin e objekteve ndihmëse për QMF dhe AF si dhe pajisje mjekësore.

Kjo është bërë e ditur në debatin  publik që është organizuar nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, lidhur me realizimin e projekteve të parapara me buxhetin e Komunës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Ndryshe, mamografi është një aparat mjeksorë me të cilin mund të diagnostifikohet kanceri i gjirit në fazat e hershme të zhvillimit të tij. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave./Llapi.info