Nuk e morri trajtimin e duhur shëndetësor në QKUK. Familja Statovci nga fshati Batllavë i komunës së Podujevës u detyrua që djalin e tyre vetëm 5-muajsh, Unikun, ta dërgojë për shërim në Beograd. Në QKUK, foshnjës 5-muajshe iu dha diagnozë e gabuar. Uniku në Beograd gjendet që 10 javë. Mjekët zbuluan se ai vuan nga një infeksion virusal në mushkri që quhet Cytomegalovirus interstital pneumonia (CMV).  Por tash, familja e tij po kërkon ndihmë financiare për t’ia mundësuar shërimin djalit të tyre.

Uniku, u bë gëzimi i dytë për familjen Statovci nga Batllava e Podujevës. Por dhembjet për këtë familje nisën në ditën kur ai u lind. Ndonëse ishte me peshë jo të duhur, Uniku u ballafaqua edhe me një infeksion virusal i cili po del të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin e tij.

Menjëherë pas lindjes, vogëlushi  qëndroi për disa muaj në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Por, në këtë institucion shëndetësor, askush nuk arriti që t’ia gjejë diagnozën e saktë të sëmundjes djalit i cili sot ka mbushur 5 muaj jetë.

Gazeta Express, të mërkurën ka qëndruar në familjen e Unikut. Babai i tij, Valmiri, ka shpjeguar rreth vështirësive me të cilat po ballafaqohet ai dhe familja e tij për shërimin e djalit të tyre.

Valmiri, i cili po kërkon ndihmë për djalin e sëmurë

“Djali jonë i dytë, Uniku, është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka lindë me një peshë më të vogël se sa duhet dhe për 24 orë ka qenë në inkubator në QKUK, aty ku fillimisht u trajtua për 16 ditë”, rrëfen prindi i Unikut të sëmurë.

Ai thotë se pas 16 ditëve të para, Uniku u dërgua në shtëpi. Por disa javë pas, familja e tij e kuptoi se diçka nuk po shkon mirë sa i përket zhvillimit të djalit të tyre.

“Ka pas përmirësime. E kemi marrë djalin në shpi. Ka qëndrua një muaj e gjysmë. Por pastaj ne i vërejshim disa simptoma. Djali nuk pike, nuk u zhvilloje e as nuk shtonte peshë.  Prap ne e dërguam djalin në QKUK. Kësaj radhe në intensivë të Pediatrisë. Por gjendja shëndetësore nuk po i përmirësohej, u trajtua edhe për 16 ditë”, tregon tutje për shëndetin e djalit të tij, Valmiri nga Podujeva.

Faturat me çmime të cilat familja Stavotci po i paguan për shërimin e djalit të tyre-Unikut

Por vështirësitë për çiftin nga Podujeva nisën kur në QKUK, asnjëri nga mjekët nuk po arrinte që t’ia gjejë diagnozën e sakte se nga çka vuante Uniku. Ai thotë se mjekët dyshonin se djali i tyre kishte një pneumoni respirative që i bie se çdo ushqim që ai e konsumonte i shkonte në mushkëri.

Uniku

Në një gjendje të tillë, familja Statovci, detyrohet që djalin e tyre ta largojë nga QKUK’ja e ta dërgojë për shërim në Beograd

“Mjekët e QKUK’së, dyshonin se djali e ka një pneumoni respirative, se djali e kthente ushqimin prapë në mushkëri. Por, pas trajtimit 16 ditorë ne nuk shihnim përmirësim dhe ne si familje u detyruam me e marrë djalin e me e çu në Beograd, atje ku gjendet tash e dhjetë javë. Mjekët e QKUK’së, janë munduar rreth trajtimit. Por diagnoza nuk ishte e saktë”, tregon prindi i Unikut.

Ndërkohë mjekët e Beogradit, tashmë kanë konstatuar se djali i tij, vuan nga një infeksion virusal në mushkri që quhet Cytomegalovirus interstital pneumonia (CMV). 

“…në Prishtinë nuk u arrit që të zbulohej kjo sëmundje. E në Beograd tek pas 4 javëve u zbulua se djali vuan nga CMV’ja. Vendimi ka qenë i joni që djalin ta hekim nga QKUK’ja”, thotë ai.

Familja kërkon ndihmë financiare

Ndërkohë me 19 shkurt të këtij viti, familja Statovci merr vendim që djalin ta transportojë me një autoambulancë private në Tirsova – Klinikë Pediatrike të Beogradit, ku gjendet qe 10 javë dhe ende është në kujdesin intenziv.

“Më 19 shkurt djalin e dërguam në Beograd. Kishim frikë se do të neglizhohemi si shqiptar atje. Por trajtimi po bëhet i duhur atje. Sipas mjekëve në Beograd, ky është rasti i parë në qet moshë që dikush  është diagnostiku me këtë virus në mushkëri. Nuk po e dinë as ata se sa do të zgjasë i gjithë trajtimi. Sipas tyre trajtimi mund të shkojë deri në një vit”, thotë prindi i tij.

E për trajtimin e plotë të sëmundjes së djalit i cili i ka vetëm 5 muaj jetë, duhet një shumë e konsiderueshme e parave.

Familja Statovci, sot nuk ka mundësi që t’i bëjë ballë të gjitha shpenzimet. Andaj ata po e kërkojnë ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë.

Deri më tani për trajtimin e djalit të tyre, kjo familje i ka shpenzuar mbi 21 mijë euro. Ndërkohë që ndihmë nga shteti kjo familje nuk ka kërkuar ende.

“Shpenzime po kemi shumë për trajtimin. Por tash kostoja për familjen tonë është fatkeqësisht e papërballueshme. Po na ndihmojnë shumë qytetarët. Unë jam detyrua që të kërkojë ndihmë financiare”.

Ata që dëshirojnë ta ndihmojë Unikun:

Valmir Statovci/ BKT

Nr i Xhirollogaris : 1901573890321122

Iban : XK051901573890321122

SWIFT CODE: NCBAXKPR