Katër raste të vjedhjes së telefonave kanë ndodhur vetëm brenda muajit qershor në klinikat e kirurgjisë dhe internos në QKUK. Sipas të dhënave zyrtare brenda një muaji raportohen rreth 6 raste të vjedhjes nëpër reparte.
Përveç problemeve të shumta me të cilat përballet Qendra Klinike Universitare e Kosovës, klinikat e repartet e saj janë edhe target i hajdutëve. Vetëm brenda muajit qershor në klinikat e kirurgjisë dhe internos janë raportuar katër raste të vjedhjes së telefonave. Në këto klinika, sipas të dhënave zyrtare ndodhin vjedhjet më të shpeshta, rreth 6 raste në muaj.
Shefi i Sigurimit të QKUK-së, Xhavit Gashi nga Kompania e Sigurimit “Security Code”, ka treguar se rasti i fundit i vjedhjes së telefonit ka ndodhur të hënën e kësaj jave në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Ai ka bërë të ditur se dy raste të tjera kanë ndodhur më datën 20, ndërsa një rast më datën 7 qershor.
“Më datën 7 qershor në ora 12:00 në mesditë është raportuar një rast i vjedhjes së telefonit në Klinikën e Urologjisë. Punëtori i sigurimit në këtë klinikë, Hajra Vitija, posa është njoftuar ka ndërmarr masa menjëherë duke mbyllur derën kryesore. Pas intervenimit të sigurimit është arritur të identifikohet autori dhe i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa telefoni i është kthyer pronarit”, ka deklaruar Gashi.
Ai shton se vjedhjet kryesisht ndodhin gjatë natës ndërmjet shoqëruesve të pacientëve. Shumë prej tyre i vendosin telefonat në rrymë për t’u mbushur dhe kur zgjohen në mëngjes nuk i gjejnë në vendin ku i kanë lënë. Gashi thotë se për të gjitha rastet e raportuara, njoftohet edhe Policia e Kosovës.
Komandanti i Stacionit 4 të Policisë së Kosovës, Gani Berisha, ka konfirmuar për Gazeta Shneta rastet e vjedhjes në QKUK. Ai ka thënë se gjatë këtij muaji janë arrestuar dy persona për vjedhje të telefonit. Berisha ka thënë se telefonat në këto dy raste iu janë kthyer pronarëve, ndërsa ka edhe raste të tjera kur nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tyre pasi celularët nuk janë kyçur në Kosovë.
Shefi i Sigurimit, Xhavit Gashi ka shtuar për fund se personeli çdo herë iu bënë me dije pacientëve që gjërat me vlerë nuk duhet t’i mbajnë me vete gjatë hospitalizimit.