Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka mbajtur aktivitet protestues në Prishtinë, me qëllim sensibilizimin e opinionit dhe të institucioneve përgjegjëse për problemet kryesore të kësaj industrie.
Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së Qumështarëve, përmendi kërkesat e kësaj shoqate.



“Ne po kërkojmë pastrimin e tregut, ndalimin e vajit të palmës në Kosovë në produktet e qumështit, ndalimin e produkteve të falsifikuara mashtruese. Ne po kërkojmë që tregu të pastrohet nga mashtrimi, konsumatorët të jenë të sigurt që produktet që ata blejnë janë të sigurta për konsum”.

Sipas Memajt, vlera e importit të vajit të palmës është rreth 2 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

“Vlera e importit të vajit të palmës në Kosovë është rreth dikun 2 milionë. Janë këto shifra zyrtare të cilat i disponon Qeveria e Kosovës dhe që është më e keqja këto po shkojnë duke u rritë dhe jo duke u zvogëluar. Kemi zvogëlim të sasisë së qumështit në Kosovë, gjë që është vërtet për keqardhje”.

Besim Kuqi, kryetar i Shoqatës së Fermerëve, tha se kjo protestë ka për qëllim t’ua tërheqë vërejtjen organeve dhe institucioneve lidhur me përdorimin e vajit të palmës.

“Kjo është një protestë e vogël vetëm sa për t’ia tërhekë vërejtjen organeve, institucioneve që pas 5 viteve të fundit që kemi bërë kërkesa më në fund e kanë pranu që është duke u përdorur vaji i palmës, duke pasë parasysh që para 3 ditëve kanë filluar fushatën djathi vendor 100%. D.m.th. ka në tregun tonë djath me vaj palme me sasi shumë të mëdha dhe janë bërë humbje të mëdha në sektorin e qumështit në kuadër të mbylljes së fermave d.m.th. nr i fermave që kanë qenë para 3-4 viteve tani ky numër është 30% më i vogël”.