Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka mbajtur takim me qytetarët, njofton Llapi.info

Veliu përpara tyre ka shpalosur ecurinë e realizimit të projekteve dhe të aktiviteteve të tjera të parapara për vitin 2018.

Edhe pse Veliu iu tha se deri më tani janë asfaltuar 80 për qind e rrugëve publike, shumë qytetarë sot iu drejtuan që t’u shtrohen rrugët.

Kështu i pari që kërkoj për asfaltim të rrugës ishte një qytetar nga fshati Llapashticë e Epërme.

“Është puna e rrugës rreth 600 metra te ‘Hodollt’ jemi lagje pesë shpija. Edhe pse u bë projekti në vitin 2013 ende nuk ka asnjë lëvizje për asfaltim. Nuk e di për çfarë arsye bëhet kjo përderisa taksat i paguajmë me rregull, nuk e di pse veç na kemi mbet pa asfalt” tha ai.

Kurse edhe Nexhat Llalloshi nga fshati Herticë, kërkoi nga drejtoritë përkatëse dhe kryetarit Veliu për asfaltim të rrugës.

“Ne e kemi një problem, një problem me rrugën prej fshatit Llallosh deri tek lagjeje e Mulla Idrizit, na kanë premtue prej mas luftës që punohet e kurrë nuk u punue në këtë drejtim, ça është problemi këtë nuk e di”, tha Llalloshi.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Gllamnik, Osman Bahtiri, kërkoi nga kryetari dhe drejtori që të bëhet asfaltimi i rrugës magjistrale si dhe disa rrugë në lagjet e  këtij fshati.

Ndërsa, Fadil Berisha nga fshati Konushec kërkoi që në këtë fshat të asfaltohen edhe 1200 metra rrugë në disa lagje të këtij fshati.

Përfaqësuesi i fshatit Dumnicë e Epërme Ruzhdi Fazliu, përmendi përpara drejtorëve dhe kryetarit shumë lagje me rrugë të pa asfaltuara edhe pse është premtuar shumë kohë më parë.

Përveç tyre, edhe shumë përfaqësues të fshatrave e qytetarë të tjerë kërkuan nga kryetari që të bëhet asfaltimi i rrugëve e rrugicave nëpër lagje të fshatrave, pas ankesave të banorëve, si dhe rregullimi i kanalizimit dhe mirëmbajtjen e ambientit nga mbeturinat./Llapi.info