Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka mbajtur takim publik me qytetarë, raporton Llapi.info

Në këtë takim të mbajtur në sallën e Kuvendit të Podujevës, Veliu ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktivitetet e tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, si dhe projektet dhe aktivitetet që janë në proces dhe ato të planifikuara për realizim.

Veliu tha se projektet e miratuara në Kuvend, për vitin 2019, janë duke u realizuar dhe janë në proces të realizimit, sipas planit dinamik.

Ndërsa, shumë qytetarë adresuan te kreu i Komunës dhe drejtorë të Drejtorive për problemet të cilat ballafaqohen çdo ditë, sidomos në ato infrastrukturore.

Por, në këtë takim u kërkua që t’i bëhet edhe një zgjidhje për mos-vendosjen e njehsorëve elektrikë në maje të shtyllave nga KEDS-i.

Ishte Shaip Stublla ai i cili kërkoi nga i pari i Podujevës që KEDS-it t’i ndalohet vendosja e tyre në maje të shtyllave pas që sipas tij, dyshohet se po bëhen keqpërdorime.

LEXO EDHE: VV: Vendosja e njehsorëve të rrymës në Podujevë në maje të shtyllave, jo transparente dhe e jashtëligjshme

“Një çështje që dua të ngriti këtu është edhe vendosja e orëve të rrymës në maje të shtyllave elektrike. Askush vesh s’po i merr. KEDS-it nuk po i besojmë, secili po dyshojmë se që shpenzimet po keqpërdoren. Ma mirë do të ishte që ato të vendosen poshtë shtylle edhe i shohim krejt. Kërkoj që t’i bëhet një zgjidhje kësaj pune”, ka thënë Stublla.

Në anën tjetër, kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, duke u munduar të përgjigjet, ka thënë se ekziston një mundësi që të kontrollohet ora edhe sipër shtyllave.

“Problemi i orëve, ai është problem po ndodhë jo veç në Komunë tonë, por në të gjitha. Ata kanë marr njëfarë vendimi ashtu me i vendos orët nëpër shtylla edhe në Komunë e kanë ofruar një program ku ju mundeni secili prej jush në telefon të mençur për t’i kontrolluar shpenzimet me anë të programit. Nëse keni dyshim që ora nuk po bënë mirë, atëherë komuna nuk është autoritet për këtë çështje, për atë punë është agjencioni kosovar i metrologjisë, që ju mund t’iu drejtoheni secili që ka dyshim”, ka thënë Veliu.

Ndryshe, edhe përkundër kundërshtimeve dhe paknaqësive të banorëve, KEDS-i është duke vazhduar me vendosjen e njehsorëve elektrikë sipër shtyllave.

E pikërisht këtë problem e ka paraqitur këshilltari i VV-së në Podujevë, Fitim Haziri. Haziri vendosjen e tyre e ka quajtur si shkelje e të drejtave të konsumatorëve.

LEXO EDHE: Shfuqizohet vendimi që ia ndalon KEDS-it vendosjen e njehsorëve të rrymës nëpër shtylla në Podujevë

Mirëpo, propozimi-vendimi i VV-së që ia ndalon KEDS-it vendosjen e tyre në shtylla është shfuqizuar në seancën e fundit në Kuvendit Komunal. Kjo, pasi që t’i ndalohet KEDS-it kundër ishte LDK-ja, ndërsa ‘favor’ i ka bërë edhe PDK duke mos votuar fare, ani pse në fillim ishin kundër vendosjes në maje të shtyllave./Llapi.info