Çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të jetë njëra ndër tema që preokupon më së shumti qytetarët kosovarë.
Ata janë të ndarë më dysh sa i përket një lajmi pozitiv që mund të ndodhë gjatë kësaj jave, raporton KTV.
Disa qytetarë shpresojnë se në fund të vitit përfundimisht do të lëvizin lirshëm, por shumë prej tyre janë skeptikë.
Qytetarët thonë se institucionet evropiane janë treguar të padrejta ndaj kosovarëve duke e lënë Kosovën si vend të izoluar.
E një turist nga Filipinet, thotë se është i mahnitur me mikpritjen e kosovarëve. Ai shpreson që qytetarët e Kosovës të marrin lajme të mira në lidhje me liberalizimin e vizave.
“Është një vend shumë i qetë, i dashur dhe ka vende të mrekullueshme. Shpresoj që ta merrni një lajm për heqjen e vizave”, ka thënë ai.
Profesor i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani, ka mëdyshje sa i përket dhënies së rekomandimit nga ana e Komisionit Evropian, pasi thotë se ende nuk dihet nëse kësaj radhe rekomandimi do të jetë pa kushte shtesë.
Mirëpo, siç ka thënë Ujkani, jo gjithçka përfundon me dhënien e rekomandimit nga ky organ.
KTV-ja ka raportuar që vendimi për liberalizimin do të ndodhë këtë javë, përkatësisht më 18 korrik.
Ndërsa, një ditë më vonë, Komisionari për Punë të Brendshme dhe Migracion i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, do të qëndrojë në Prishtinë.
Zyrtari i lartë i BE-së, gjatë një fjalimi në Kuvend, pritet që ta konfirmojë vendimin pozitiv të Komisionit për liberalizimin e vizave.