Foto ilustrim

Mëngjesin e së martës u dogj një makinë në qendër të qytetit, afër Fakultetit të Edukimit.

Poashtu javën e kaluar u dogj një veturë tjetër, afër Kampusit Universitar, duke i dëmtuar edhe dy të tjera pranë saj. E të tilla raste janë të shpeshta në vendin tonë. Disa vetura digjen nga pakujdesia e shoferëve, disa nga problemet teknike. Por, shqetësues është fakti se qytetarët po i djegin veturat qëllimisht, për të përfituar nga sigurimi i tyre.

Bazuar në të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Policisë, shkaqet kryesore të këtyre rasteve janë gjendja teknike (instalimi i rrymës), mjetet piroteknike, dhe përfitimi personal.

Në këtë gjashtëmujor të këtij viti, në Kosovë janë djegur 22 vetura.

Në Prishtinë janë djegur 5, në Prizren 2, në Gjilan nuk është djegur asnjë, në Pejë janë djegur 2, në Ferizaj gjithashtu 2, në Mitrovicën Jugore 4, në Mitrovicën Veriore 6, ndërsa në Gjakovë vetëm 1.

Vendet ku më së shumti ndodhin këto raste, janë rrugët lokale dhe rajonale, autostrada, hapësirat publike, parkingjet, si dhe garazhet.

Në raportin e dërguar nga Policia e Kosovës për Gazetën Express, kryesojnë rastet ku qytetarët i kanë djegur qëllimshëm veturat e tyre për të përfituar nga sigurimi i makinave.

Ndonëse rastet e djegies së veturave janë të shpeshta, fatmirësisht gjatë dy viteve të fundit, në Kosovë nuk ka pasur të vdekur nga këto djegie, por vetëm dëme materiale.