Komuna e Podujevës nuk ka shpenzuar asnjë cent për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, ani pse qyteti është dekoruar, njofton Llapi.info.

Shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, ka thënë për Llapi.info se komuna nuk ka shpenzuar asnjë mjet për dekorimin e qytetit, pasi një gjë të tillë e kanë bërë kompani të caktuara vullnetarisht.

Se Komuna e Podujevës nuk ka shpenzuar asnjë cent për dekorimin e qytetit, ka thënë edhe Shefi i Drejtorisë për Shërbime Publike, Rasim Fejza, i cili nuk ka treguar kompanitë të cilat e kanë dekoruar qytetin me arsyetimin se mund të hidhërohet ndonjë kompani nëse harron ta përmend.

“Nuk e dina shumën. Ato vet e kanë zbukuru. Nuk muna me përmen se munen me u idhnu tjerat. Edhe diçka, ato vet kanë than që s’ka nevojë me na e përmen emrin hiq se na vet jena organizue”, ka thënë Rasim Fejza për Llapi.info

Ai ka treguar se Komuna e Podujevës nuk ka pasur buxhet për dekorimin e qytetit.

“Në kodin për ndriçim publik hyjnë edhe dekorimet e krejt, por i kemi realizuar disa kërkesa të qytetarëve për ndriçim publik dhe nuk kemi pasur buxhet. Andaj, rreth dhjetë kompani kanë shpreh dëshirën me na ndihmu”, ka shtuar Fejza.

Edhe pse Komuna e Podujevës nuk ka shpenzuar asnjë cent për dekorimin e qytetit, sipas Fejzës ajo po e mbikëqyr punën e këtyre kompanive./Llapi.info

1396853_10205194825565923_1351415142812426788_o