Kreu i pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot e ka dërguar në Presidencë peticionin për bashkimin e Mitrovicës.

Gjatë ditës së sotme, kreu i pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, nënshkrimet e peticionit për bashkimin e Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

Pas kësaj, ka reaguar kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ai për agjencinë serbe “Beta”, e ka ftuar Bahtirin që të marrin një iniciativë dhe të dërgojnë në Kuvendin e Kosovës siç tha ai, vendimin për anulimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e Kosovës në Serbi, transmeton më tutje lajmi.net.

“Nëse Bahtiri vendosi që unifikimi i popullit serb dhe ai shqiptar është zgjidhja më e mirë, e ftoj atë të dërgojmë së bashku iniciativën në Kuvendin e Kosovës për të vendosur mbi anulimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të Kosovës në Serbi”, deklaroi Rakiq.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi Bahtiri sot ia dorëzoi peticionin me 15 mijë nënshkrime presidentit të vendit Hashim Thaçi.

Kujtojmë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e ka cilësuar si joligjore kërkesën e Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës.