Kryeministri Rama në konferencë për media ritheksoi gëzimin për ardhjen e Merkelit në Shqipëri.

“Jam mirënjohës për Merkel që ka ardhur në Shqipëri, duke e ditur se sa shumë njerëz kërkojnë kohën e saj duke i bashkangjitur edhe situatat në Greqi, ngrohjen globale, emigracioni, etj. Natyrshëm ka rëndësi për ne sepse në mes të gjitha këtyre ajo erdhi tek ne dhe se kancelarja i kutpon thellësisht përpjekjet tona.”, tha Rama, transmeton Indeksonline.

Ai vazhdoi më tej për të thënë se Merkel ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për projektin e madh të Shqipërisë për futje në BE. Këtë ai e ilustroi me një shembull rajonal me Serbinë.

“Do të ecim përpara me fqinjët serb sikur Gjermania me Francën në planin rajonal, por është e qartë që BE ka nevojë për Ballkanin sa ka edhe Ballkani nevojë për BE-në”, shtoi Rama.

Ai premtoi se do të ketë shkëmbim të rinjësh me Gjermaninë që të shkrinjë marrëdhëniet mes tyre./IO