Burim Ramadani, Zëvendësministër i FSK-së, ka thënë se idetë për ndarje territoresh mes Kosovës dhe Serbisë janë mendësi e së kaluarës.
Ai thotë se zgjidhjet e konflikteve përmes metodave johumane janë tragjike dhe kjo, sipas tij, është dëshmuar si e tillë në rajone të ndryshme gjithkah nëpër botë.
“Kosova është pajtuar dhe implementon me sukses të dukshëm modelin e demokracisë pushtet-ndarëse (modelin e teorizuar nga Arendt Lijphart në vitet e 1960ta). Model ky që funksionon në bazë të përfaqësimit jo-proporcional të komuniteteve pakicë. Secili model tjetër (shkëmbin territoresh, ndarje territoriale, deportimi, hegjemonia, federalizmi apo të tjera) është më pak demokratik dhe shkelë të drejtat e liritë themelore të njeriut”, theksoi ai përmes një postimi në Facebook.
Ramadani, që është edhe Sekretar i Përgjithshëm në AAK, ka thënë se për këto arsye, “Kosova s’ka nevojë fare për ide rreth modeleve tjera”.
“Kosova vetëm duhet të njihet kështu si shtet, që ekziston. Sepse, ekziston. Sepse, funksionon. Asgjë më pak”, u shpreh Ramadani.