Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen.

Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, apo edhe nga stacionet policore.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur dje, në pikën kufitare në Merdar, ku u ndal një person i kërkuar, por që ia doli të arratiset.

Sinjali mëson se i dyshuari fillimisht ishte ndalur për kontroll dhe verifikim, ku rezultoi se është në listën e personave të kërkuar, me ç’rast Policia filloi ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme dhe u njoftua njësia përkatëse që të merret me rastin.

Gjithçka dyshohet se ndodhi për pak minuta, pasi një zyrtar policor i kërkoi të dyshuarit që ta parkonte veturën mirë, pasi ishte ndalur në shiritin ku vazhdonte qarkullimi.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e shfrytëzoi rastin dhe pasi hipi në veturë, ia mbathi kah Serbia.

Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme.

Me vendim të tij, është iniciuar hetimi ndaj personit të dyshuar.