Katër ditë pas gjetjes së trupit të pajetë të tetëmbëdhjetëvjeçares Leonora Rekaliu në lumin Llap, në Podujevë, në vitin 2013, Behram Kërtoku kishte takuar Shpejtim Behramin, ish-të fejuarin e saj. Atë ditë atij i kishte shprehur ngushëllime.
Pas një muaji dëshmitari Behram Kërtoku kishte takuar sërish Shpejtim Behramin, i cili tani po gjykohet nën akuzën për vrasjen e Leonorës. Kësaj radhe prej tij kishte blerë një telefon të tipit “Samsung”. Këtë telefon ia kishte konfiskuar policia pas katër muajsh. Kishte qenë telefoni i së ndjerës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjatë dëshmisë të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Kërtoku ka thënë se me të akuzuarin janë fqinjë, por edhe kishin punuar bashkë në një fabrikë të tjegullave në Podujevë.
“E di që Shpejtimi ka qenë i fejuar me Leonorën. E di edhe që një vit para vrasjes ata ishin ndarë. Kur kanë qenë të fejuar i kam parë shpesh bashkë në lagje teksa ajo shkonte te shtëpia e Shpejtimit”, ka thënë ai.
Viktimën, sipas aktakuzës, në mënyrë dinake Shpejtim Behrami e ka privuar nga jeta më 29 mars të vitit 2013, duke ia futur me forcë kokën në ujë, si dhe duke e mbajtur derisa ajo ka mbetur pa frymë. Pas kësaj prokuroria beson se trupin e saj e ka lënë në ujë dhe është arratisur. Kufoma e saj është gjetur pas katër ditësh në lumin Llap, në afërsi të Lagjes së Feratëve, në Komunën e Podujevës. Megjithatë, çanta e saj, të cilën e kishte pasur me vete atë ditë, nuk është gjetur kurrë. Kufoma e saj, kur ishte gjetur, kishte pasur shenja dhune.
Sipas një ekspertize mjekësore, e cila i është bërë trupit të viktimës, mavijosja ka paraqitur dëmtim të frekës, “që do të thotë se është shkaktuar para vdekjes dhe madje brenda disa orëve nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mprehës (jo i mprehtë), ose ka mundësi të jetë shkaktuar me përplasje në një objekt të fortë”.