Autoritetet në Serbi po vazhdojnë të kërcënojnë zyrtarët kosovarë. Kësaj radhe, kërcënimi vjen nga ministri i Punëve të Brendshme serb.
Serbia ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzave ndaj, tash shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe Jetlir Zyberajt shef i kabinetit të zv/kryeministrit Behgjet Pacolli.
Jetlir Zyberaj ka thënë se Kosova nuk është e befasuar me veprimet e tilla nga Serbia, dhe se kjo çështje do të ngritët në nivelet më të larta të BE-së.
Jetlir Zyberaj dhe Behgjet Pacolli
“Serbia ka ngritur aktakuzë kundër gjithë botes, liderëve kryesorë që kanë kryesuar fushatën e bombardimeve kundër regjimit kriminal të Millosheviqit dhe i mban nën aktakuzë ende. Vullneti, përkushtimi dhe vendosmëria për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, nuk është vetëm obligim e detyrim Kushtetues i yni. Është mision dhe detyrim personal i secilit prej nesh që atdheut t’ia ruajmë nderin, kufijtë, ligjin e Kushtetutën. Sot kur ne shënojmë ditën e te pagjeturve, Serbia vazhdon t’i fesh gjurmët e krimeve të Millosheviqit, ndërsa familjet tona po e vuajnë ende edhe mungesën e një varri të të dashurve te tyre. Krimin duhet ta kërkojmë këtu, e jo asnjëherë në secilën përpjekje qe shteti i Kosovës bën për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë e banorëve të vet në secilin cep të territorit”, ka thënë Zyberaj për lajmi.net.
Reagon edhe KMLDNJ
Për këtë çështje ka reaguar ashpër edhe Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut (KMDLNJ).
Në një reagim të dërguar për media, të titulluar “Kur një shtet kriminal kërcënon liderët e shtetit tjetër”, KMDLNJ thotë se autoritetet serbe po bëjnë politikë me dy e më shumë fytyra ndaj Kosovës, derisa në njërën anë po zhvillojnë bisedime për “normalizimin e raporteve” me Kosovën, në anën tjetër po ndërmarrin të gjitha veprimet për të shkatërruar Kosovën.
“…janë kërcënuar se do të arrestohen Shpend Maxhuni i pari i AKI-së (ish-drejtor i përgjithshëm i PK), Flamur Sefaj ish-ministër për Punë të Brendshme dhe Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i Behgjet Pacollit sepse e paskan koordinuar arrestimin e një huligani politik siç ishte dhe është Marko Gjuriq”, thotë KMDLNJ.
Madje, Këshilli thotë se Marko Gjuriq, pas arrestimit, është dashur të dërgohet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dhe të gjykohet për kalim ilegal të kufirit, e jo të deportohet në Serbi, ashtu siç edhe ndodhi.
“Serbia, çdo qytetar i Kosovës që e kalon ilegalisht kufirin, qoftë edhe nëse e ka gabuar rrugën (barinjët, prerësitë e pyllit, ata që marrin zhavor) etj. me procedurë të përshpejtuar i dërgon në Burgun e Prokupjes, i dënon me kundërvajtje, i mbanë disa ditë në burg dhe pastaj dënimin ua zëvendëson me një shumë parash”, reagon KMDLNJ.
KMDLNj e pati vlerësuar arrestimin e Marko Gjuriqit në Mitrovicë por e kishte cilësuar si trajtim degradues, poshtërues dhe diskriminues shëtitjen e Marko Gjuriqit të prangosur, rrugëve të Prishtinës.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar sot se organet kompetente të Serbisë po ndërmarrin masa dhe veprime që do të duhej të shpinin në ngritje të aktakuzës kundër ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve për arrestimin e drejtorit të Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme intensivisht po punojnë në këtë dhe se nuk do të hiqet dorë që fajtorët të sillen para organeve serbe.
Mediat në Serbi thanë se kjo aktakuzë do të ngritët ndaj ish-drejtorit i Policisë së Kosovës tash shef i AKI-së, Shpend Maxhuni, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe shefi i kabinetit të zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, nën akuzën se këta të tre kanë qenë kryesorët në menaxhimin e situatës dhe në zbatimin e urdhrit politik që Marko Gjuriq të arrestohej në Mitrovicë.
Sipas tyre, urdhri i lëshuar nga zyra e Pacollit përmes Zyberajt është zbatuar “kundërligjshëm” nga Sefaj dhe Maxhuni.
Aksioni për arrestimin e Gjuriqit në Mitrovicë ishte përshëndetur nga të gjithë në Kosovë, mirëpo ka pasur edhe të tillë, politikanë, që nuk kanë qenë edhe shumë të entuziazmuar, sidomos me faktin se ai u soll në Prishtinë dhe më pas u largua drejt Serbisë përmes pikëkalimit kufitar të Merdarës.