Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë, Vlora Ceraja- Hajdini, ka reaguar ndaj lajmit të portalit “Llapi.info” lidhur me pezullimin e përkohshëm të aktivistit të Vetëvendosjes, Rinor Hajrullahu. Ajo këtë reagim e ka adresuar ndaj portalit Llapi.info, duke thënë se ky portal ka përdorur fjalë “aktivitet terrorist” e “komunist”.

Redaksia e portalit “Llapi.info” sqaron se reagimi i Vlora Ceraja-Hajdinit, drejtoreshë në Shkollën e Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë, gabimisht e ka adresuar reagimin e saj, lidhur me postimin e komunikatës për media të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.

Jemi të befasuar se si znj.Hajdini nuk ka ditur ta bëjë dallimin ndërmjet qëndrimit të redaksisë dhe citimit të burimeve, në këtë rast të komunikatës për media të LVV-së. Drejtoresha e shkollës duhet ta di kaq punë që publikimi i komunikatës së LVV-së që përmban edhe shprehjet “akt terrorist” e atë “komunist”, nuk janë shprehje e as qëndrim i portalit “Llapi.info”.

Në këtë rast, qëndrim i redaksisë nuk është as arsyetimi që ka dhënë ajo për vendimin ndaj nxënësit në fjalë. Kërkojmë nga Vlora Ceraja-Hajdini, që në raste të tjera, kur ajo reagon ndaj deklaratave të dikujt, para se ta bëjë këtë ta kuptojë mirë se ndaj kujt po e vë gishtin. Ose të paktën të këshillohet me dikë që merr vesh nga informimi publik.

Redaksia e portalit “Llapi.info”.

Ky është reagimi i plotë Vlora Ceraja-Hajdini:

REAGIM

Lidhur me shkrimin e botuar në portalin- Llapi.info, me datë: 26.03.2016 me titull “ Në Podujevë pezullohet aktivisti i Vetëvendosjes ”!
Është fakt se ndaj nxënësit Rinor Hajrullahu është marrë masë, pezullim i përkohshëm nga mësimi për një muaj nga dt. 25.03.2016 – 25.04.2016 me arsyet e dhëna në vendimin e Sh.M.L.T. “ Fan S. Noli “ në Podujevë.
Njoftojmë opinionin se të thënat në shkrimin e datës së cekur më lartë në Llapi.info nuk janë reale , ngase ndaj nxënësit nuk janë përdorur shprehjet e cekura në këtë artikull si : “ aktivitet terrorist “ e as “ komunist “.
Nuk e kemi kuptuar qëllimin se pse janë shkruar shprehjet e cekura të cilat ne nuk i kemi thënë. Ne jemi Institucion për edukimin dhe shkollimin e rinisë, ndërsa biseda e zhvilluar në zyrën e drejtoreshës nuk është aspak e vërtetë se është zhvilluar me ” presion” dhe “shantazhë” , por biseda ka qenë e orientuar që nxënësit ti shpjegohet se aktivitetet politike nuk janë të lejuara në mesin shkollor, ngase mundë të vie deri te ndasia dhe konfliktet në mes nxënësve.
Andaj, nga vërjtjet e më herëshme për shkakë të sjelljeve të tij në kundërshtim me rregulloren e shkollës dhe mos përfillja e nxënësit lidhur me këshillat tona për rastin konkret, si pasojë ka ardhë deri te vendimi për suspendim, i cili është marrë komform Udhëzimit administrativë të dt.06.2014 Neni 3 pika 1.1 ,1.3 dhe Neni 4 pika 3.
Podujevë
Më.27.03.2016
Drejtoresha:
Vlora Ceraja Hajdini