Florian Ramqaj, këshilltar i Ministrit Liburn Aliu ka reaguar pasi emri i tij u përmend në një dyshim për skandal të publikuar nga Web-emisioni “Ditari i Buzhalës”.
Ramqaj ka thënë se s’ka asgjë të vërtetë, duke i quajtur këto raportime shpifje. Madje, ka paralajmëruar edhe padi.
“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë.
Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, ka shkruar Ramqaj në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë e tij.
“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka shkruar Ramqaj.
Ndryshe, Web-emisioni “Ditari i Buzhalës” ka trajtuar një rast korrupsioni ku përmendet edhe emri i ministrit Liburn Aliu, dhe ku nuk mungojnë shumat astronomike, pushteti e ryshfeti, dhe daja e nipi.
Gazetari Berat Buzhala, në këtë emision pretendon se ka zbuluar përgjime autentike që dëshmojnë se si një kompani projektuese e lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes, u zu “me pelë për dore” duke kërkuar ryshfet.
Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut, e që raportohet se kishte lidhje familjare me pronarët. Sipas Nacionales, ata ishin dajtë e tij.
Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i dajës është Halil Jahaj. Sipas këtij raportimi, bëhet fjalë për ryshfet 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.
Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara.