Komuna e Gjakovës reagon për dëbimin e aktores së Teatrit të Gjakovës, Muradije Muriqi, nga banesa e saj.
Sipas reagimit thuhet se Komuna e Gjakovës nuk e ka dëbuar askënd nga asnjë objekt apo banesë prejse qeverisja e re e ka marr pushtetin.
“Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave (AKKVP) , ka marr vendim për largim nga prona të zonjës Muradije Muriçi sipas mandatit të tyre ligjor”, thuhet mes tjerash aty.
Reagimi i plotë:
Sqarim për artikullin e botuar si të pa vërtet në gazetën Express dhe të influencuar nga persona që janë vet përgjegjës për gjendjen e pronave në Komunë.
Komuna e Gjakovës nuk e ka dëbuar askënd nga asnjë objekt apo banesë prejse qeverisja e re e ka marrur pushtetin. Agjensia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave (AKKVP) , ka marrur vendim për largim nga prona të zonjës Muradije Muriçi sipas mandatit të tyre ligjor.
Komuna i ka themeluar grupet punuese, sipas ligjit, për t’i verifikuar pronat komunale. Sipas mendimit ton, prona në të cilën banon zonja Muriqi është pronë komunale por kjo gjë duhet të vërtetohet ligjërisht.
Sa për informim publik, nuk ka regjistër legal të të gjitha pronave komunale në Gjakovë sepse qeverisja e kaluar nuk e ka marrur me ‘ngut’ këtë punë.
Poashtu, ka një kohë të gjatë që komuna e Gjakovës nuk e inkason asnjë cent nga dyqanet në pronësi komunale edhe pse qeverisja e kaluar e ka pasur obligim që ta bëjë inventarizimin dhe t’i inkasojë mjetet në të mirë të qytetarit.
Poashtu, qeverisja e kaluar iu ka premtuar 48 familjeve që do t’i sistemojë në banesa sociale, duke qenë plotësisht e vetëdijshme se i ka vetëm 12 të tilla në dispozicion. Aq më tepër, një gjë e tillë ka ndodhur para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Opozitarizmi nuk bëhet duke iu gëzuar fatkeqësisë së qytetarëve për të përfituar politikisht e as me gënjeshtra.