Pas aksionit të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ku përmes një ekspozite me fotografi ka paraqitur premtimet të cilat nuk janë realizuar nga Komuna e Podujevës, ka reaguar kjo e fundit duke e quajtur ekspozitë gënjeshtrash aksionin e VV-së, njofton Llapi.info.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë:

Vetëvendosje bën “art” me një “ekspozitë” gënjeshtrash” në Podujevë

Në kuadër të fushatës propagandistike Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot një “ekspozitë” rrenash në Podujevë. Dhe, janë përkujdesur vetë aktivistët e këtij subjekti politik dhe kryetari i saj në Podujevë, Bajram Ajeti, që ta devalvojnë dhe përgënjeshtrojnë këtë “ekspozitë”.

Për informim të drejtë të qytetarëve dhe opinionit, Komuna e Podujevës reagon ndaj kësaj “ekspozite” dhe deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje të bëra në media, duke i cilësuar si të pabaza të gjitha spekulimet e tyre për mos përmbushje të premtimeve dhe mos realizim të projekteve.

Është krejt normale të propagandohet dhe të bëhet fushatë me qëllim të përfitimit të poenëve politikë. Por, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje është shërbyer kryekëput me të pavërteta.

Për të dëshmuar se gjithçka që kanë ekspozuar në emër të “keqqeverisjes” janë gënjeshtra dhe trillime është angazhuar vetë kryetari i VV-në Podujevë, i cili në mënyrë të paskrupullt sajon, duke mos u kënaqur me dyfishim të distancës së rrugës Podujevë-Prishtinë, që është 30 km, kurse kreu i VV-së, Bajram Ajeti thotë se distanca në kilometra në dy drejtimet është 140 km, që sipas matematikës së tij i bie të jetë 70 km në një drejtim rruga nga Podujeva në Prishtinë.

Dhe “ekspozita” e gënjeshtrave të VV përcillet pastaj me projekte që janë kryer, e të cilat ata nuk duan ti shohin, sepse me aparatin e tyre fotografik kanë ngarendur të kapin bërllok në ndonjë skutë të qytetit, ndonjë makinë të parkuar në trotuare, ndonjë fshatar duke shitur produktet e tij diku në trotuar…

Kanë mundur të shkojnë e të fotografojnë, ose të marrin fotografitë dhe të dhënat për shumë projekte të realizuara që kanë të bëjnë me investime në zhvillim ekonomik, investime në infrastrukturën rrugore, rrjet kanalizimi, trotuare, ndriçim publik, ura, rregullim shtretërish të lumenjve, subvencione në bujqësi, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, ndërtim të komplekseve sportive rekreative, në qytet te Salla e Sporteve “Hakif Zejnullahu” dhe asaj në Kërpimeh, si dhe fusha sportive nëpër shkolla.

Kanë mund ta pranojnë të vërtetën se në vend të Maternitetit, Podujeva sivjet është bërë me Spital të Përgjithshëm, që do të funksionalizohet në vitin 2017. Është bërë edhe Teatri i Qytetit “Avdush Hasani” i cili do të zhvillojë aktivitetin në sallën e cila edhe është dedikuar për teatër, por që nuk e përjashton projektin për ndërtimin e Qendrës së Kulturës.

Të gjitha këto projekte i shohin, i prekin dhe i gëzojnë qytetarët e Podujevës falë investimeve kapitale të bëra gjatë gjithë mandatit qeverisës së LDK-së, por edhe gjatë këtij mandati, ku janë realizuar mbi 90% të projekteve të planifikuara në investimet kapitale, pra edhe të shpenzimit të mjeteve për këtë kategori buxhetore, e jo 31%, siç pretendojnë në VV.

Lëvizja Vetëvendosje ka platformën e saj politike dhe synimet, në kuadër të kësaj edhe propagandën dhe agjitimin, por krejt këtë mund ta bëjnë në mënyrë pak më të arsyeshme. E, me “ekspozitën” e sotme dyshojmë se keni fituar besim apo simpati te qytetarët, përkundrazi. Dolët tepër gënjeshtarë dhe qesharakë.