Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Podujevës ka reaguar ndaj seancës së jashtëzakonshme të mbajtur sot në këtë komunë, transmeton Llapi.info.

LVV përmes një komunikate dërguar medieve ka thënë se mbajtja e kësaj seance është bërë vetëm për shkak të zgjedhjeve për të bërë premtimet  dhe mashtrimet e radhës nga ky pushtet.

Kanë thënë se ridestinimi i mjeteve në kode të ndryshme sidomos në asfaltimin e rrugëve, është vetëm një nga keqpërdorimet e shumta që pushteti komunal po i bën parasë publike. E gjithë kjo sipas LVV- së po bëhet me qëllim të përfitimeve partiake./Llapi.info

Ja edhe komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje

Sot në Seancën e Kuvendit Komunal të Podujevës u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme, ku si pikë e rendit të ditës ishte ri-alokimi i buxhetit të Komunës për vitin 2017. Grupi i asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,konsideron se ngutja e mbajtjes së seancës është bërë për shkak të zgjedhjeve, për të bërë premtimet dhe mashtrimet e radhës. Ri-alokimi i buxhetit është pasojë e keqmenaxhimit, që ka pasoja të drejtpërdrejta për jetën e qytetarëve të Llapit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Konsideron që mjetet e dedikuara për bulevardin dhe sheshin e dëshmorve, duhet të përdoren vetëm për çfarë janë destinuar fillimisht. Ridestinimi i këtyre mjeteve në kode të ndryshme e sidomos në asfaltimin e rrugëve të ndryshme, është dëshmuar nga e kaluara që është vetëm një ndër keqpërdorimet e shumta që pushteti komunal ia bën parasë publike, me qëllim të përfitimit partiak.

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes, në këtë mbledhje ngriti si çështje edhe dëmet që u janë shkaktuar fermerëve nga faktorët klimatik në dy vitet ef undit. Fermerët e Komunës tonë janë anashkaluar nga Komuna, e cila në situata si kjo do duhej t’u ofronte ndihmën e nevojshme për t’u rikuperuar nga humbjet. Ne propozuam që të ngritet një fond i veçantë për rastet emergjente.

Asamblistët e Lëvizjes nuk e votuan këtë ri-alokim, të cilin e konsiderojmë të padrejtë. Ky veprim i pushtetit nuk ka për qëllim të mirën publike, por të mirën e LDK-së.