Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas ndalimit të artistëve nga Kosova në pikën kufitare me Serbinë në Merdare.
Përmes një reagimi në Facebook, Thaçi shkruan se arti, kultura dhe sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe dhe pajtim.
Ai shton se kjo sjellje e Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtohet në rajon dhe në kundërshtim të përpjekjeve për të vënë raporte europianë mes vendeve të rajonit.
Ky është reagimi i plotë i Thaçit:
“Me shqetësim po i përcjell pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova që janë nisur për të marrë pjesë në ekspozitën “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd.
Pengesat e policisë serbe dhe të autoriteteve të qytetit të Beogradit kanë vënë në pikëpyetje organizmin e kësaj ngjarjeje kulturore.
Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim.
Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte europiane në mes vendeve të rajonit.
Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Europës Juglindore nuk kanë të ardhme europiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore.”/