Një përplasje mes aktivistëve të LDK-së dhe atyre të VV-së ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në sheshin e qytetit të Podujevës, konkretisht tek zyret e VV-së, raporton Llapi.info.

Për këtë ka reaguar dega e VV-së në Podujevë, teksa ka akuzuar ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliu dhe aktivistët të LDK-së, të cilët, sipas reagimit, ishin mbledhur pikërisht përpara zyreve të Lëvisjes Vetëvendosje.

“Sot, rreth orës 14:00, para zyreve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, aktivistët tanë u provokuan disa herë për t’u sulmuar më pas nga banditët e Agim Veliut të cilët të gjendur para humbjes në zgjedhje hedhin shkelmat e fundit. Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun e Nexhmi Rudarin e militantë të tyre të mbledhur para zyreve të Lëvizjes sonë i provokuan vazhdimishtë aktivistët tanë derisa, persona të këtyre bandave filluan sulmin ndaj kamermanit të organizatës sonë”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

BANDAT E AGIM VELIUT TENTOJNË TA NDALOJNË FITOREN E SHPEJTIM BULLIQIT
Sot, rreth orës 14:00, para zyreve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, aktivistët tanë u provokuan disa herë për t’u sulmuar më pas nga banditët e Agim Veliut të cilët të gjendur para humbjes në zgjedhje hedhin shkelmat e fundit.
Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun e Nexhmi Rudarin e militantë të tyre të mbledhur para zyreve të Lëvizjes sonë i provokuan vazhdimishtë aktivistët tanë derisa, persona të këtyre bandave filluan sulmin ndaj kamermanit të organizatës sonë. Ndër ta qytetarët e pranishëm e kanë identifikuar edhe një person, i cili është polici me emrin Butrint Krasniqi. Ky polic civil, me maskë të LDK-së, ndërkohë është djali i arkatarit të Komunës së Besianës, nipi i ish-komandantit të Njësitit Special për Regjionin e Prishtinës, Amir Gërgurit e shok i afërt i djalit të Agim Veliut.
Është e çuditshme se në kohën kur militantët e LDK-së parakalonin duke provokuar para zyreve tona, policia nuk gjindej aty, anipse nga shtabi ynë zgjedhor kishim kërkuar takim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i dënon këto provokime e sulme të cilat kanë për qëllim prishjen e procesit zgjedhor. Bandat e Agim Veliut, të gjendura para humbjes i duan me çdo kusht provokimet e tilla me qëllim të frikësimit të qytetarëve. Por, kjo nuk do të ndodhë. Podujeva është përcaktuar për ndryshim. Bandat që kanë udhëhequr komunën tash e 20 vjet nuk do të mund ta ndalin fitoren e qytetarëve.