Ministria e Punëve te Brendshme në bashkëpunim me Komunën e Podujevës organizuan ushtrimin funksional “Tërmeti dhe dëmtimi i digës së liqenit të Batllavës”.

Qëllimi i këtij ushtrimi ishte testimi i koordinimit të vendimmarrjes nga niveli lokal deri te Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI). Pjesëmarrës në tryezën e ushtrimit në MPB, ishin: kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, anëtarët e grupit GNMI-së, përfaqësues të MPB-së, thuhet në kumtesën komunale, njofton Llapi.info.

Në kuadër të këtij ushtrimi funksional Komuna e Podujevës aktivizon Qendrën Operative Emergjente Komunale, duke ngritur Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili udhëhiqet nga Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, e ku ishin edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, zyrtarë nga Policia e Kosovës, nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dhe zyrtarë të tjerë komunal nga sektori i emergjencave, mbrojtjes dhe shpëtimit.

Gjatë realizmit të ushtrimit Komuna e Podujevës e informon Agjencinë për Menaxhimin Emergjent (MEE) për një termet të fuqishëm që ka goditur Podujevën me rrethinë. Gjendja paraqitet kaotike me të vdekur dhe të lënduar dhe dëmtime të mëdha në infrastrukturë banimi, rrugë, rrjet elektrik, ujësjellës…

Lidhur me gjendjen në teren, Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim vazhdimisht informon AME-në dhe ofron kërkon ndihmë për menaxhimin e situatës dhe për të ofruar ndihmë në teren.

Ushtrimi i organizuar sot kishte për qëllim ngritjen dhe verifikimin e veprimeve të përbashkëta operacionale./Llapi.info