Në teatrin e qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë, nën patronatin e kreut të komunës, Agim Veliu, është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të “Betejës së Shpëtimit”, raporton Llapi.info
Kjo betejë kishte nisur në 27 prill të vitit 1999 dhe kishe zgjatur deri më 3 maj.
Të pranishëm pos kryetarit Veliu, për t’i përkujtuar të rënët në këtë akademi ishin edhe ish-komandanti i ZOLL Rrustem Mustafa- Remi, komandantë të brigadave, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë e qytetarë të tjerë.
Me këtë rast i pari i Podujevës, Agim Veliu, duke përmendur betejat e prillit të vitit 1999 në Llap, ka thënë se ato i kanë dhënë vulë luftës për çlirim të vendit.
“Në betejën të cilën ne sot e quajmë me të drejt “Beteja e Shpëtimit”, u tregua trimëri e heroizëm i gjithë ushtarëve që ishin pjesë e këtij operacioni gjashtë-ditësh. Por, lavdia e përjetshme u takon dëshmorëve të rënë në këtë betejë: Bedriut, Esetit, Elfirit, Shahinit e Jahës. Beteja të lavdishme si kjo e shpëtimit, ajo e Kaçandollit, Tabeve të Llapashticës si dhe shumë të tjera në Llap e gjithë andaj Kosovës i dhanë vulë luftës për çlirim. Bashkërisht e kemi obligim ta forcojmë dashurinë për Kosovën e cila ka nevojë për mbështetjen, punën dhe përkushtimin tonë”, është shprehur Veliu.
I pranishëm në këtë përvjetor, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit (ZOLL), Rrustem Mustafa – Remi, duke kujtuar të rënët në këtë betejë, ka thënë tani obligim mbetet angazhimi në zhvillimin e vendit.
“Për të ardhur deri këtu UCK-së iu desh të bëjë disa beteja, sakrifica e që një ndër to është edhe “Beteja e Shpëtimit” dhe të rënët. Kjo betejë shton krenarinë e secilit. Dhimbja është shumë e madhe për ata që tani s’janë në mesin tonë. Por, ne ta kemi obligim që të reflektojmë për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe, familjarëve të dëshmorëve të rënë në këtë betejë u janë shpërndarë pllakata nderimi./Llapi.info