Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se pjesëmarrja e saj në votimin e presidentit ka ardhur, sipas saj, për dy arsye.

Reshitaj para mediave ka deklaruar se nuk ka mundur të lejojë që funksionalizimi i institucioneve të Kosovës të varet nga Lista Serbe, ndërsa arsyeja e dytë ishte gjendja e rëndë me pandeminë.

“E para, nuk kam mundur të lejoj që e ardhmja e funksionalizimit të institucioneve të vendit tonë, përkatësisht presidencës, me u var prej Listës Serbe, e cila është e dirigjuar nga politikat e Vuçiqit. E dyta, ju e dini që jemi në fazë të rëndë të pandemisë. Kemi raste e vdekje rekorde, dhe qytetarëve iu duhet më së paku të shkojnë në zgjedhje. Konsideroj që duhet të vetëdijesohemi që mirëqenien qytetare ta vendosim mbi qëllimet tona, qofshin partiake apo personale. Lus gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç i kam thënë edhe partisë që i takoj, të jemi pjesë e seancës. Nuk kam ardhur të votoj pro asnjë kandidati, por kam ardhur që të jem pjesë e seancës që të mos dirigjohemi nga Lista Serbe”, deklaroi Reshitaj.

Ndërkohë, ajo mohoi se është larguar nga AAK-ja.

“Nuk jam larguar. Kam një mendim ndryshe. Kam menduar se është më mirë të jemi në seancë”, potencoi Reshitaj.

Reshitaj ishte deputetja e vetme nga AAK-ja që mori pjesë në seancën për votimin e presidentit, e cila është shtyer për ditën e diel. Deputetja nga Suhareka doli kundër vendimit të kryetarit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili është shprehur se deputetët e partisë që ai përfaqëson nuk do të marrin pjesë në seancë.