Reshje të shiut , erëra të forta dhe breshër i madh kanë kapluar qytetin e Podujevës sot në orët e hershme të mëngjesit, raporton Llapi.info.

Mot i ngjashëm në Podujevë mbretëroi edhe gjatë ditës së djeshme ku erërat e forta rrëzuan kulmin e një shtëpie në fshatin Sekiraqë si dhe rrethojat e një objekti në rrugën “Skënderbeu” në qendër të qytetit.

Të reshurat dhe erërat e forta gjatë ditës së djeshme shkaktuan edhe dëme të tjera materiale. Si pasojë, kanalizimi i qytetit kishte shpërthyer duke vërshuar kështu pjesë të shumta të qytetit.

Kurse, në gjithë këtë situatë edhe problemet me energjinë elektrike nuk kishin si të mos mungonin. Fshati Peran kishte mbetur pa energji elektrike më shumë se 11 orë (10:30- 20:30) kurse, në fshatin Sfeçël përkatësisht në rrugën ‘Demokracia’, shtylla elektrike kishte bllokuar rrugën, pasi ajo ishte rrëzuar nga era.

Përveç këtyre dëmeve materiale, të lënduar nga gjithë kjo situatë nuk kishte./Llapi.info